“Mos i dëgjoni ata që mbjellin sherr dhe ndasi; Kompensim 100% për familjet te ‘5 Maji’”
Me rastin e Kurban Bajramit, Bashkia e Tiranës shtroi një drekë festive në të gjitha qendrat sociale për familjet në nevojë, të moshuarit dhe personat me aftësi të veçanta. Kryebashkiaku Erion Veliaj i uroi besimtarët myslimanë, duke shërbyer drekën në Qendrën Komunitare “Gonxhe Bojaxhi” në zonën e Bregut të Lumit. Ai tha se pas tërmetit dhe pandemisë Tirana u ngrit më e fortë.
“Gëzuar Kurban Bajramin! Është gjithmonë kënaqësi sa herë rikthehem në qendrat tona sociale. Këtu në Bregun e Lumit jemi ngritur në këmbë edhe me shtëpitë e reja që po ndërtojmë, edhe me këtë qendër sociale, ku kujdesemi si një familje për princeshat dhe princërit e vegjël. Në festa si kjo e sotmja, qoftë Kurban Bajrami, qoftë ndonjë festë tjetër, pavarësisht besimit që kemi, tregojmë se jemi anëtarë të një komuniteti”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku u shpreh se Bashkia e Tiranës do të qëndrojë pranë njerëzve në nevojë, duke hapur qendra të reja komunitare. “Kemi ndërtuar një qendër fantastike në Kombinat, do të shtojmë një në Laprakë dhe në secilën prej lagjeve të reja që po ndërtojmë për strehimin e familjeve të prekura nga tërmeti. Në qoftë se nga fatkeqësia dalim më të mirë seç ishim, do të thotë se fatkeqësinë e kemi kthyer në një mundësi”, shtoi ai.
Kreu i Bashkisë u ndal edhe te procesi i rindërtimit, teksa në lagjen e re “5 Maji” familjet e para po hyjnë në banesat e reja. “Mezi pres të kthehemi në këtë lagje gjithmonë e më shumë të rindërtuar, gjithmonë e më shumë të bukur e të sistemuar. Më vjen mirë që familjet e para kanë hyrë te lagjja e re te “5 maji”, do të vazhdojmë edhe me familjet e tjera”, tha ai.
Veliaj siguroi se edhe familjet që preken nga procesi i rindërtimit, do të kompensohen 100 përqind. “Edhe për ata që i kishin ndërtuar shtëpitë më herët, do të përfitojnë po aq metra katrorë sa kishin. Duam të sigurohemi që asnjë nuk del i humbur nga përpjekja për të rindërtuar pas tërmetit. Por, do shumë durim dhe shumë besim. Në qoftë se dyshojmë te njëri-tjetri, nëse për çdo gjë vëmë në pikëpyetje njëri-tjetrin, atëherë jemi shoqëri pa besim. E di që ka edhe politikanë që mbjellin sherr, helm dhe ndasi mes nesh – që thonë shtëpitë s’do bëhen kurrë apo shkolla “Sami Frashëri” do ndëtohet në Paskuqan – por këto janë gënjeshtra me bisht. Po të kemi besim te njëri-tjetri, po të ndihmojmë dhe të inkurajojmë njëri-tjetrin, mund të bëjmë dhe do të bëjmë gjëra të mrekullueshme”, nënvizoi Veliaj.
Gjatë ditës, Bashkia e Tiranës ka organizuar aktivitete të ndryshme për solidaritet me grupet në nevojë.