Edhe një 5-vjeçar mund të futet në klasën e parë, me kushtin që të mbushë 6 vjeç brenda 31 dhjetorit të atij viti. Këtë propozon Ministria e Arsimit dhe Sportit në projektligjin e ri të arsimit i nxjerrë në konsultim publik. Dhe pse ekspertet e arsimit janë shprehur se kjo që të ndodhë do të nevojiten disa kushte dhe një ndër to, është që fëmija detyrimisht duhet të ndjekë një vit parashkollorin dhe të ketë një mësues reference të posaçëm.
Ky propozim sipas Ministrisë së Arsimit, është bërë duke u mbështetur në ndryshimet e zhvillimit aktual të fëmijëve. Por qytetarët e Elbasanit shprehen për Egnatia News se është e palogjikshme pasi Ministria e Arsimit nuk mund të përkufizojë të gjithë fëmijët me një shembull, pasi ka dhe fëmijë që e kanë tepër të vështirë konceptimin dhe zhvillimin arsimor.
Për qytetarët mosha 6-7 vjeçare është më se normale për fëmijët që të nisin arsimin fillor. Për ta shqetësim mbeten dhe fëmijët në zona rurale pasi dhe ikja në shkolla në rrugë të cilat janë të prishura rrezikojnë dhe jetën e fëmijëve.
Një nga ndryshimet e reja që propozon ministria është se nuk do lejohet në arsimin parauniversitar asnjë mësues apo punonjës i dënuar më parë për vepra penale që lidhen me të miturit. Të tilla propozime vijnë pas rasteve të përdhunimeve dhe ngacmimeve seksuale që mësuesit kanë kryer me të mitur. Sipas Ministrisë së Arsimit ky propozim bëhet për të mbrojtur fëmijët nga individë me potencial rreziku.