Kolonia e karkalecave ka pushtuar arat e mbjella dhe ato djerrë edhe në zonën e Dumresë në Belsh. Dhjetëra hektarë kryesisht me jonxhë, misër dhe vreshtari janë infektuar nga ky dëmtues. Agronomi Mehdi Shehu pranon ekzistencën e vatrave të infektuara në Dumre dhe thotë se e vetmja zgjidhje është dezifektimi i të gjitha sipërfaqeve të mbjella, pasi fermerët thotë ai pyesin dhe pak medikamente blejnë.
Të shqetësuar fermerët thonë se po mbledhin sa të mundin nga kulturat bujqësore. Ata kërkojnë ndihmën e ministrisë së bujqësisë dhe pushtetit lokal.
Në fshatin Dëshiran dëmet nga karkaleci janë edhe më te mëdha. Kryeplaku Ferdi Mjeshtri thotë se në emër të fermerëve i ka kërkuar ndihmë bashkisë të kryejë dezifektimin, por mbeten në pritje.
Burime nga zyra rajonale e bujqësisë dhe mbrojtjes së bimëve në Elbasan bëjnë me dije se dëme nga karkaleci ka dhe në fshatrat e bashkive Elbasan dhe Cërrik, por Dumreja mbetet më problematike.