Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka reaguar pas shtimit të rasteve të personave të infektuar me Covid-19.
Gjatë fjalës së saj, teksa vizitoi Spitalin Infektiv në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, Manastirliu u shpreh pesimiste sa i përket sezonit të vjeshtës, pasi ashtu si dhe është paralajmëruar nga OBSH, do të kemi një rritje të rasteve.
Ashtu sikurse është alertuar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, vjeshta mund të vijë me një valë të re të covid19 dhe varianteve të reja të Omicron. Ndaj ne duhet të bëhemi gati që t’i përballojmë të gjitha ato emergjenca që mund të vijnë në të ardhmen, duke qenë të përgatitur dhe duke ndërtuar kapacitetet dhe duke i fuqizuar ato”, tha ajo.
Spitali Infektiv në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, do përfundojë rinkostruksionin në fund të korrikut dhe brenda gushtit do të priten pacientët e parë.
“Bërja funksional i këtij spitali do të fillojë në muajin gusht, ku edhe do të kemi një hapje të këtij shërbimi të ri. Ashtu sikurse tashmë kjo strukturë është e projektuar, do të kemi më shumë se 60% të dhomave me ajër me presion negativ. Kjo ndihmon shumë përsa i përket trajtimit të sëmundjeve infektive. Reanimacioni rrit kapacitetet duke i dyfishuar ato. Ndërkohë që gati të gjitha dhomat ofrojnë të gjitha panelet e gazrave mjekësore duke e kthyer në një moment të caktuar nëse do të na duhet dhe një spital pra, gjysmë terapie intensive”, tha ajo.
Investimi i kryer kap vlerën e 5.6 milion eurove dhe ka të bëjë me rikonstruksionin dhe zgjerimin e kapaciteteve në Spitalin Infektiv.