Të mërkurën ajo i dha vendit lajmin e papritur se presidenti John Magufuli kishte vdekur ndërsa sot zv. presidentja Samia Suluhu Hassan mori vendin e kreut të shtetit.
E zgjedhur si zëvendësja e Magufuli në 2015, dhe gjithashtu vitin e kaluar, ajo duhet të kryejë pjesën e mbetur të mandatit pesë vjeçar në post, duke u bërë liderja e vetme aktuale e një shteti në Afrikë.
Ndërkohë mister mbeten shkaqet e vdekjes së presidentit Magafuli i cili prej tre javësh nuk shfaqej në publik, pasi kishte mohuar sistematikisht udhëzimet e vendeve të mëdha për kufizime, maska apo izolime te koronavirusit.
Versioni zyrtar është ai i një ataku kardiak, edhe pse opozita vendase pretendon se është infektuar nga koronavirusi.
Presidenti 61 vjeçar ishte nga ‘negacionistët’ më të ashpër të Covid-19, duke pretenduar se testet e koronavirusit të ardhura nga Perëndimi kishin nxjerrë pozitive me koronavirus dhitë, madje frytin karakteristik vendas, pau-pau (papaja).
Shkaqet e vdekjes së presidentit mbeten të pashpjeguara pasi disa ditë më parë kryeministri i vendit Kassim Majaliwa tha nga kryeqyteti Dar-Es-Salaam, se presidenti gëzon shëndet të plotë. Tanzania ka shpallur dy javë zi kombëtare.
Magafuli kishte shpallur në qershor se vendi i tij “është çliruar” nga Covid dhe ka refuzuar çdo masë si izolimet apo përdorimin e maskave, madje përkundrazi, thoshte se për të kuruar sëmundjen mjaftonte djeta tradicionale me pau-pau, xhenxhefil dhe erëza.
Kreu i opozitës tanzaniane Tundu Lissu, tha për BBC se presidenti ka vdekur nga Covid por pa dhënë prova për pretendimet.
Top Channel