“Jones Group International” është kompania amerikane e pajtuar nga qeveria për sigurinë kibernetike, e cila sot ka rënë pre e një sulmi duke bërë që faqet e shërbimeve online dhe ato qeveritare të bien.

Sipas kontratës me qeverinë shqiptare, shoqëria amerikane e specializuar në fushën e mbrojtjes kibernetike ka akses thuajse në të gjitha sistemet digjitale të vendit.

Ajo bën vlerësim të sistemeve të sigurisë, harton një planveprim për çdo institucion dhe do të mbikëqyrë në krijimin, zhvillimin, zbatimin dhe funksionimin e Qendrës Shqiptare të Operacioneve të Sigurisë Kibernetike.

E gjithë procedura e negocimit të kontratës menaxhohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, bashkë me një komision të posaçëm prej shtatë përfaqësuesve të Ministrive të Infrastrukturës, Mbrojtjes, Rendit, Financave, Avokaturës së Shtetit, Autoritetit për sigurinë Kibernetike dhe Drejtoria e Sigurimit te Informacionit te Klasifikuar.

Lidhja e kontratës me Jones Grup u paralajmërua nga kryeministri Rama, pas rrjedhjes masive të të dhënave personale në fundin e vitit të shkuar. Projektligji u miratua në Kuvend në muajin prill të këtij viti me 98 vota pro. Miratimit të rij i parapriu firmosja publike e një memorandumi mes qeverisë shqiptare dhe ish-gjeneralit Jones.

Vendimi i qeverisë shqiptare

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.2/2017, “Për sigurinë kibernetike”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Miratimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Grupit Jones International, për forcimin e sigurisë kibernetike të infrastrukturës kritike për Shqipërinë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.