U habita shumë që nuk po shoh asnjë reagim të këtij “kori” ambasadorësh për lajmin më të MADH të sotëm për votimin në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut të planit francez që përfundimisht hap rrugën për fillimin e bisedimeve për çeljen e negociatave të pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.
Reagoi Presidenti i BE, reagoi sekretari Amerikan, reagoi Kryetari i KE, reagoi Kancelari gjerman, reagoi Presidenti i Frances, reaguan kush e kush më shpejt dhe me stilin e tyre edhe “baballarët” dhe “mamallarët” e kombit shqiptar, reagoi Presidenti i Maqedonisë së Veriut.
Çfarë ka ndodhur që nuk pashë asnjë reagim të këtyre që nuk lënë gjë pa reaguar?
Këta kanë reaguar për luftën në Ukrainë, kanë reaguar për qëndrimin e Bjellorusisë, për ngrohjen globale, për zjarret në male, për flakët në Sazan e për djegien e Malit të Çikës, kanë reaguar për zgjedhjet nëpër seksione të partive politike, kanë reaguar për turizmin detar, malor e fushor, për rakinë e fikut në Qeparo, kanë përkrahur dhe reaguar fort për paradën e “krenarëve” më 17 maj, kanë reaguar “ashpër” kur është shtyrë Enkelejdi në Foltoren e Kuvendit etj, etj.
Madje kanë reaguar duke përkrahur fort SPAK-un kur ia mblodhi 8 me 2 Bektashit me dy autokombanja nga Kuçova dhe vuri rresht 200 kryefamiljarët e një fshati si “dëshmitarë” për të zbuluar “komplotin” e “madh” të “pastrimit“ të parave të oligarkëve rusë që mund të ketë bërë Bektashi, e pothuajse për çdo gjë “madhore” që ka ndodhur në Shqipëri.
Si ka mundësi që për zhbllokimin e procesit të fillimit të rrugës së anëtarësimit në BE nuk ka asnjë reagim?
Po për 5-6 “oligarkët” milionerë të inceneratorëve që “fshiheshin” në azile apo “kamufloheshin” si pastrues pallatesh si nuk pati asnjë reagim?
Po për zyrtarë të qeverisë (drejtor tatimesh, drejtor rrugësh, drejtor i Fondit të Zhvillimit etj) që kanë vila në Londër, qindra mijëra euro në llogari të pa deklaruara në ILDKP, që blejnë kompani 500 euro e për 4 muaj i shesin 600 mijë euro si ka mundësi që nuk pashë e nuk dëgjova të belbëzojnë asnjë fjalë?
Apo do kenë reaguar në mënyrë konfidenciale dhe nuk ka nevojë ta bëjnë publike se ngarkohet kot opinioni, mediat, portalet me këto “vogëlsira”!
Ehhhhh sa jam habitur nga kjo heshtje saqë vetem kjo këngë me sjell në vete.