Bordi i Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit te Shtetit, ka vendosur t’i kërkojë Kuvendit të Shqipërisë të ndryshojë ligjin mbi dosjet në vend, për shkak se favorizon politikanët e lart dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të cilët nuk ndëshkohen nga të qenit bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe akoma më keq mbrohen me një klauzolë të veçantë, nëse kanë kaluar “filtrin” e atij që quhej Komisioni Mezini dhe me pas Bezhani pas vitit 1997.
Kjo klauzolë, duket se është vendosur qëllimshëm për ti dhënë legjitimitet, mos kontrollit të hollësishëm të dosjeve dhe mbrojtjen e shumë politikanëve të lart që kanë qenë pjesë e strukturave bashkëpunuese me Sigurimin e Shtetit.
Bordi I referohet një rasti konkret, kur një politikan i lartë shqiptar,me inicialet I.M., që ka qenë në krye të vendit dhe sot në krye të një partie politike, rezulton se ka qenë bashkëpunëtorë I Sigurimit të Shtetit, por certifikata e tij nuk mund të plotësohet pasi e pengon një klauzolë e ligjit që kërkon të mos rishkruhen apo riplotësohen certifikata të lëshuara nga Komisioni Bezhani. Komisioni Bezhani njihet kështu për shkak të mbiemrit të kryekomisionerit Nazif Bezhani, i cili drejtoi këtë Komisioni prej vitit 1997, deri në vitin 2000. Gazeta Tema mësoi se bëhet fjalë per Ilir Metën ish -Presidentin e Shqiperise.
Procedura e mëtejshme në Kuvend ndoshta do të bëjë publike identitetin e tij zyrtarisht.
Ne njoftimin zyrtar thuhet se:
“Autoriteti është ndeshur me informacione dhe të dhëna mbi një personazh me profil të lartë politik. Institucionit iu kërkua nëpërmjet postës elektronike që të verifikohej figura e shtetasit I. M. në dosje të klasifikuara të ish-Sigurimit të Shtetit. Konstatimi u shqyrtua me përgjegjësi dhe materialet u bënë të njohura për të gjithë anëtarët e zgjedhur.
Me vendimin nr. 321, datë 26.07.2022 të Autoritetit, të dhënat iu përcollën Kuvendit të Shqipërisë.Për identifikimin e materialeve të tilla dhe informimin mbi to, Autoriteti kërkon të kthehet vëmendja te ndryshimet e ligjit nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” i ndryshuar dhe problematikat e vështirësitë e përsëritura në zbatimin e disa dispozitave.
Konkretisht: Verifikimi i zyrtarëve përpara emërimit në detyrë, në zbatim të nenit 29, pika 4 të ligjit45/2015 i ndryshuar, ku parashikohet: “Autoriteti nuk administron kërkesat për informacion për zyrtarët që propozohen të emërohen ose ngrihen në detyrë në institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike, kur Autoriteti administron apo i janë vënë në dispozicion dokumenti autentik origjinal i certifikatës së pastërtisë së figurës.
Pra, emrat e shqyrtuar më herët nga komisionet Mezini-Bezhani nuk verifikohen nga Autoriteti,me dispozitë ligjore.
Nga ana tjetër, neni 29 pika 4 të ligjit nr. 45/2015, i ndryshuar, zbatohet vetëm për kërkesat përinformim të paraqitura nga institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike, dhe jo për kërkesatindividuale për informim.
Në këtë rast, Autoriteti nuk kushtëzohet nga normë urdhëruese dhe e jep dokumentacionin nëadministrim, siç rezulton nga verifikimi.Disa herë, (nëntor 2018, shkurt 2020, etj.), Autoriteti ka paraqitur propozime për ndërhyrje nëligj sa i takon dispozitës në fjalë, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, KQZ, Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, bashkëkryetarëve të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhor edhe OSBE-së. Shqetësimi është paraqitur së fundmi nga znj. Gentiana Sula, në seancën plenare të 21 korrikut 2022, gjatë raportimit të veprimtarisë për vitin 2021.Në këto rrethana, në rastet e shqyrtuara me përgjegjësi për subjektet A. D., Th. S., S.H, Xh. Sh.,D. Ç., dhe I. M., Autoriteti e ka bazuar vendimmarrjen në kërkesën për emërim/ngritje në detyrë.
Në rastet kur kërkesa për të njëjtët emra bëhet për verifikim figure, Autoriteti administron të gjithë dokumentacionin mbi personin në fjalë.
Ngërçi e vë institucionin në pozitën që, një vendim i tij në përgjigje të kërkesës institucionale, deklaron se subjekti zotëron certifikatën e pastërtisë se figurës së tij nga komisione të mëhershme verifikuese.
Vendimi tjetër, – i marrë në përgjigje të kërkesës individuale, – shprehet që po i njëjti subjekt rezulton me dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit.
Të dy vendimet janë të ligjshme dhe në zbatim të ligjit nr. 45/2015, i ndryshuar.”
Fakti i rëndë që ka zbuluar Autoriteti për Informimin mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit, I ka pasur indicet nga një ish- zyrtar i informuar për këtë çështje që ka qenë në dijeni dhe të përpjekjeve që janë bërë për fshehjen e këtij skandali prej vitit 1991, së bashku me dosjen e një shtetase me origjinë serbe të martuar në Tiranë e cila ka qenë dëshmitare në dy palë gjyqe kundër “grave jugosllave”, e përdorur nga Sigurimi i Shtetit.
Më në fund Bordi ka arritur të gjejë dosjen dhe materialet që provojnë bashkëpunimin e këtij politikani të lartë me Sigurimin e Shtetit, por që për shkak të detyrës së lartë që ka pasur, nuk mund të veprohej se kishte imunitet.
Skandali provon shumë zhvillime politike të tridhjete viteve shumë aleanca të dyshimta politike dhe përdorimin e dosjeve të Sigurimit të Shtetit nga Sali Berisha, për kundërshtarët e vet të cilët në shumë raste I ka kthyer në bashkëpunëtor të tij përmes këtyre dosjeve.
Nga ana tjetër ky fakt tregon se sa shumë kanë depërtuar në politikë figura të tilla, të cilat për shkak të atij inkriminimi kanë tredhjet vjet që përpiqen të diktojnë jetën politike në Shqipëri.
Ndryshimi i këtij ligji sipas kërkesës së Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit te Shtetit, krijon nevojën e ndryshimit ligjor në ligjin e dekriminalizimit për politikanë që kanë bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit. Kjo i nxjerrë përjetësisht nga politika figura te tilla te implikuara ne te shkuarën e tyre.