Gazsjellësi Nord Stream 1, i cili transporton gaz drejt Europës, nuk do të rifillojë siç ishte planifikuar për ditën e nesërme. Lajmi bëhet i ditur nga BBC, që citon firmën shtetërore ruse të energjisë, Gazprom.
Kompania ruse nuk dha afat kohor për rifillimin e transportimit të gazit, duke nxjerrë si arsye dëmtimin e motorit të turbinës.
Sipas deklaratës së Gazprom, tubacioni Nord Stream 1 është mbyllur për shkak të një rrjedhje nafte.
Kompania shtetërore thotë se, defekti u zbulua në stacionin e kompresorit Portovaya, me inspektimin e kryer së bashku me punëtorët nga Siemens, firma gjermane që ndihmon në mirëmbajtjen e tubacionit.
Gazprom pretendon se rregullimi i rrjedhjeve të naftës në motorët kryesorë është i mundur vetëm në reparte të specializuara, për të cilat Rusia ka thënë më parë se ishte penguar nga sanksionet perëndimore.
Evropa ka akuzuar më parë Rusinë për kufizimin e eksporteve të gazit si hakmarrje ndaj sanksioneve të vendosura nga Perëndimi, për shkak të luftës në Ukrainë.
Kjo nuk është hera e parë që tubacioni mbyllet.
Në korrik, gjiganti rus i naftës ndërpreu plotësisht furnizimet e tij përmes tubacionit Nord Stream 1 për dhjetë ditë, duke përmendur “një ndërprerje mirëmbajtjeje”.
Rifilloi përsëri dhjetë ditë më vonë, por në një nivel shumë të reduktuar.
Këtë herë, tubacioni është ndërprerë për shkak të një rrjedhje nafte, tha Gazprom. Para mbylljes, ajo funksiononte me kapacitet rreth 20%.
Tubacioni do të rifillonte në orët e para të së shtunës. Vonesa në rihapjen e linjës u njoftua vetëm disa orë pasi grupi i G7 njoftoi një kufi të çmimit të naftës ruse.