Pas përfundimit të mbledhjes së Komitetit të Sigurisë, Drejtori i Aviacionit Civil, Maksim Et’Hemaj në një deklaratë për mediat tha se fikja e sistemit TIMS ishte bërë për t’u mbrojtur pas sulmit nga hakerat iranianë në aeroportin e Rinasit.
Ai tha se deri më tani, pavarësisht vështirësisë më të lartë për përballimin e fluksit të pasagjerëve, asnjë prej tyre nuk kishte humbur udhëtimin. Ndërsa shtoi se sistemi do vijonte të ishte i fikur deri në përballimin e plotë të sulmit.
“Me siguri them se sistemi i trafikut ajror nuk është prekur nga ky sulm. Ndërkohë mënyra sesi kjo ngjarje shkakton probleme në aeroport është e thjeshtë. Bllokimi i sistemit TIMS krijon vonime të fluturimeve. Por ju them me shumë kënaqësi që asnjë pasagjer nuk ka humbur udhëtimin. Aeroporti ka tre valë udhëtimesh. Valën e parë e menaxhuam me sukses duke komunikuar me kompanitë ajrore.
Unë i ftoj pasagjerët që të vazhdojnë të vijnë dy orë para fluturimit të tyre për shkak të kësaj situate. Ky është nëj akt sabotimi. Nuk është detyra jonë të themi se kur kjo mund të rregullohet, por të bëjmë të mundur që pasagjerët të mos humbin avionin e tyre. Komiteti do vazhdojë aktivitetin deri në rikthimin në normalitet. Kjo do jetë në thelb gjithmonë një luftë mes të mriës dhe të keqes. Sistemi TIMS u fik për t’u mbrojtur”– u shpreh Et’Hemaj.