Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi dje marrëveshjen e BE-së (Marrëveshja Kornizë Financiare e Partneritetit), e cila do t’i lejojë Shqipërisë të marrë fonde nga Instrumenti i Asistencës së Para-anëtarësimit të BE-së (IPAIII).
Kjo asistencë e para-anëtarësimit mbështet vendet kandidate për në BE dhe kandidatët e mundshëm në miratimin dhe zbatimin e reformave kyçe politike, institucionale, sociale dhe ekonomike për të qenë në përputhje me vlerat e BE-së dhe për t’u përafruar në mënyrë progresive me rregullat, standardet dhe politikat e BE-së.
Financimi i ri, i cili nuk do të ketë nevojë të shlyhet, do të drejtohet në një sërë sektorësh si reforma në drejtësi, mjedisi, energjia, zhvillimi i sektorit privat, bujqësia, punësimi dhe përfshirja sociale, qeverisja e mirë dhe decentralizimi si dhe qeverisja vendore dhe civile.
Ambasadorja Christiane Hohmann, Shefja e Delegacionit të BE-së në Shqipëri tha: “Hapja e negociatave të anëtarësimit këtë verë ishte një moment historik në marrëdhëniet BE-Shqipëri, por lidhja jonë ka qenë gjithmonë shumë e fortë. Për vite me radhë, BE-ja ka qenë mbështetësi më i madh i reformave në Shqipëri duke ofruar pothuajse 100 milionë euro në vit për programe në fusha si reforma në drejtësi, bujqësia dhe shumë fusha të tjera që prekin jetën e qytetarëve shqiptarë. Ky ratifikim vazhdon këtë partneritet të fortë, me një paketë të re dhe më të madhe mbështetjeje për të ndihmuar Qeverinë në procesin e zgjerimit në vitet në vijim, si dhe për të përmirësuar jetën e përditshme të shqiptarëve.
Më shumë rreth IPAIII
IPAIII për periudhën 2021-2027 është fokusuar në prioritetet e procesit të zgjerimit të BE-së. Sipas IPA III, programimi i asistencës së BE-së është programuar sipas pesë dritareve tematike, të cilat pasqyrojnë grupimet e kapitujve negociues. Dritaret tematike janë:
- Dritarja 1: Sundimi i ligjit, të drejtat themelore dhe demokracia;
- Dritarja 2: Qeverisja e mirë, përafrimi me acquis të BE-së, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe komunikimi strategjik;
- Dritarja 3: Axhenda e gjelbër dhe lidhje e qëndrueshme;
- Dritarja 4: Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse;
- Dritarja 5: Bashkëpunimi territorial dhe ndërkufitar.
Përveç kësaj, një sërë temash ndërsektoriale, të tilla si ndryshimet klimatike, mbrojtja e mjedisit, shoqëria civile, barazia gjinore dhe qasja e bazuar në të drejtat, janë integruar dhe për këtë arsye zbatohen në pesë dritaret.
Buxheti i ri IPAIII për periudhën programore 2021-2027 është mbi 14 miliardë euro, duke mbuluar partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë. Kjo është një rritje e konsiderueshme nga buxheti prej 10 miliardë eurosh i fazës së mëparshme IPA (IPAII, 2014-2020). /Abcnews.al/