Nga Skerdjan Dhuli
Për vete e të tjerë (e fundit për FRPD)
Prej vitesh e kam parë veten duke mezipritur garën për Kryetar të Forumit Rinor Demokrat.
Rreth meje të gjithë miqtë e dinë se një garë e tillë ishte edhe dëshira ime e madhe.
Historia rrodhi siç deshi e jo siç duhej dhe kur erdhi momenti që Basha me gjysmë PD-në e tij hapën garën për kryetar forumi rinor, nuk e dorëzova formularin e aplikimit.
Arsyeja ishte sepse Basha e kishte të përcaktuar fituesin nëse do bëhej garë.
Zgjodha të mos bëhesha fasadë sepse nuk e konceptoj dot veten të përdorur së paku me dijeni e përsa kohë unë e dija çdo ndodhte, nuk mund të tallesha me veten.
Kur erdhi momenti që këtë garë ta bënte Berisha, shumë miq që e dinin ëndrrën time, e të tjerë që besonin tek aftësitë dhe pasioni im më kërkonin të kandidoja. Për rreth 2 muaj u koklavita nëpër aksin mendje-zemër.
E para thoshte mos hyr në një garë të tillë. Ti ske nevojë të marrësh të tjera sharje e sulme sepse boll ke marrë prej një viti. Ti nuk ju bashkove foltores kshuqë rri larg kësaj gare.
E dyta thoshte hyr. Diçka që e pret prej vitesh nuk mund ta lësh tani që erdhi momenti.
Ndër të dyja fitoi mendja. Nuk i hyra garës sepse nuk kisha shumë besim tek një garë e ndershme dhe këtë e ndava me të gjithë miqtë e mi që më kërkonin të hyja në garë.
Kur kandidatët dolën, 5 prej tyre i njihja mjaftë mirë në aktivitetin e tyre politik prej të paktën 8 vjetësh dhe zgjodha të mbështes atë që më bindi më tepër, edhe duke gjetur aty një pjesë të ideve dhe pasionit tim.
Por çfarë ndodhi dje ? Gara u vodh nga Belind Shkreli. Gjatë këtyre orëve po mendoja “kur këta vodhën edhe kandidatët që lanë shpirtin pas foltores, imagjino çdo më kishin bërë mua. Rrezik do më vidhnin dhe votën time…”
Sot kuptoj sa mirë kam bërë që nuk hyra në garë.
Kur të vjedh Edi Rama dhemb por kur të vjedh i partisë që ti i ke dhënë praktikisht vitet më të bukura të jetës, të vjen të plasësh.
E djeshmja është vota ime e fundit brenda strukturave të PD!/ Egnatia news