Në Rusi do të mbahen dy ditë speciale lutjesh për rastin e ditëlindjes së presidentit rus, Vladimir Putin, i cili feston sot 70-vjetorin e lindjes.
Ditëlindja e Putinit nisi sot me lutje nga Patriarku Ortodoks Rus Kirill, i cili i bëri thirrje qytetarëve që të luten për shëndetin e udhëheqësit kryesor të Rusisë që nga Josef Stalin deri të lideri aktual, Vladimir Putin.
Patriarku rus u ka kërkuar qytetarëve të bëjnë dy ditë lutje në nder të Putinit, në mënyrë që Zoti t’i japë presidentit rus shëndet dhe jetë të gjatë
“Ne lutemi për ju, për kreun e shtetit rus, Vladimir Vladimirovich, dhe ju kërkojmë t’i jepni atij mëshirën dhe bujarinë tuaj të pasur, t’i jepni shëndet dhe jetëgjatësi dhe ta çlironi nga të gjitha rezistencat e dukshme dhe të padukshme”, tha Kirill në lutjen e tij.
Patriarku Kirill
Sot, Putin, i cili drejton Rusinë që prej 1999, do të marrë pjesë në një samit jozyrtar të Komonuelthit të Shteteve të Pavarura në Shën Petersburg, shkruan Sky News.
Por kush është diktatori tashmë 70 vjeç që ka trazuar ujërat në botë me shpalljen e luftës në Ukrainë që prej 24 shkurtit
I lindur në Shën Peterburg, karakteri i liderit 70-vjeçar të Kremlinit u brumos gjatë fëmijërisë së tij.
Putin është rritur pa prindërit e tij biologjikë, nga një familje kujdestare. Për shumë psikologë e sociologë kjo periudhë ka shkaktuar trauma në jetën e tij, dhe e ka bërë të jetë i ftohtë me njerëzit dhe i afeksionuar më tepër pas kafshëve.
Kjo gjë shpjegon edhe dashurinë e tij për dy qentë Koni dhe Buffy, me të cilët shfaqet shpesh, madje edhe në takime me krerë të lartë shtetesh.
I diplomuar për drejtësi Vladimir Putin për 16 vite ka qenë pjesë e shërbimit sekret sovjetik, KGB. Për shkak të fizikut të tij, në KGB Putin e thërrisnin me pseudonimin “vogëlushi”. Më pas ai u shkëput nga shërbimet sekrete, dhe për 5 vite punoi si pedagog në Shën Peterburgut.
Viti 1996 do të ishte vendimtar për Putin. Ai u transferua në Moskë për t’ju futur politikës. këtu nisi rrugëtimi i “vogëlushi i KGB” për t’u bërë “Ariun e Siberisë”.
Dy vjet më vonë, Vladimir Putin u vendos në krye të Shërbimit të Sigurisë Federale, një organizate që pasoi KGB-në sovjetike.
Në vitin 1999 presidenti Boris Yelsin e emëron në krye të qeverisë, ndërsa në vitin 2000, Vladimir Putin u shfaq për herë të parë në arenën ndërkombëtare si president i Federatës Ruse.
Lufta në Çeçeni dhe ndarja e re administrative e territorit të pamat rus, e ngritën profilin e Putin, që fitoi më tepër pushtet. Edhe konfliktet në Gjeorgji, Siri dhe Krime, sërish Putin i përdori për të forcuar imazhin e tij.
Putin e drejton Rusinë që nga viti 2000, me përjashtim të periudhës 2008-2012, kur ai vendosi president, mikun e tij, Dimitri Medvedev.
Përtej politikanit të fortë dhe një nga njerëzit më të pushtetshëm në botë, Vladimir Putin është i njohur edhe për sportet ekstreme e pasionet e forta.
I pëlqejnë shumë kafshët, veçanërisht qentë e mëdhenj, arinjtë dhe kuajt. Duke ruajtur disa nga zakonet e kohës kur ka qenë agjent i KGB, Vladimir Putin shpenzon një kohë të madhe në palestër.
Madje nuk mungojnë foto të tij duke u stërvitur në kushte ekstreme të motit Siberian. presidenti rus mban edhe rripin e zi ne xhudo. Sot e gjithë bota i ka sytë mbi Putin dhe i kërkon atij të tërhiqet nga bombardimet në Ukrainë./Abcnews.al/