Vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj kanë dëshmuar në polici detaje të reja për atentatin që ishte planifikuar për tu kryer ndaj Geron Hasenbelliut, tek “Don Bosko” në Tiranë.
Burimet bëjnë me dije për Ora News se ata kanë deklaruar se për këtë atentat Ilirjan Feçi u ka premtuar 100 mijë euro.
Ilirjan Feçi dhe Kevin Zeneli, sipas tyre, e kishin ndjekur dy-tre herë Hasenbelliun për ta vrarë, por nuk ia kishin dalë ta ekzekutonin.
“Më dhanë 2 mijë euro, mora një banesë me qira afër zonës Don Bosko, tek lokali “F….. Për 10 ditë e kemi ndjekur në distancë prej orës 7:30. Ilirjani kërkonte me insistim ta kryenim vrasjen.
Mësuam se Geroni Hsanbelliu vinte në atë lokal rreth orës 17:30,” ka deklaruar Indrit Beqiraj mëson Ora News.
“I thashë të martën e kam ters. Nuk e vras! Do gjuaj të merkurën. Geroni erdhi në mëngjesin e së hënës, piu kafe dhe pasdite s’erdhi më. Diskutuam me vëllain dhe Kevin e dyshuam se na kishte tradhëtuar Ilirjan Feçi. Pasi larguam Feçin pasi dyshonim se na shiti, Kevin foli në aplikacionin “Signal” me “fratelon”.
Fratelo ishte Kasandër Noga dhe ai urdhëroi të vrisnim nipat e Geronit meqenëse Geroni s’vinte më në atë lokal. Për nipat do të merrnim 50 mijë euro,” tha ai përpara policisë.
Në atentatin e ndodhur në 4 janar 2022, në “Don Bosko” u vra gabimisht Erion alias Adriatik Çela nga Dibra dhe u plagosën rëndë, vëllai i viktimës, Blerim Çela dhe daja i tij Edmond Crroi, kamarieri i lokalit dhe një person tjetër.
Do vëzhgonim Rrumin e Shijakut
Vëllezërit Beqiraj kanë dëshmuar edhe për planin e 2 tetorit 2022, ditën dhe kur motori i tyre u zu në pritë, dhe u nxorr nga rruga nga njerëzit e Rrumit që ishin me makina. Pasi janë u konfliktuan njëri prej vëllezërve Beqiraj u rrëmbye me makinë por u lirua 30 minuta pasi Gentiani kishte bërë denoncimin në polici.
“Ishim porositur të mbanim nën vëzhgim edhe Aleksandër Lahon, i njohur me nofkën “Rrumi i Shijakut” por ramë në sy me sa duket. Ishim në fazën e grumbullimit të informacioneve rreth lëvizjeve të tij, si ruhej. E kishte në listën e ekzekutimit. Njerëzit e tij na pikasën dhe me sa duket ne që duhet ta vëzhgonim, u vendos nën vëzhgimin e njerëzve të “Rrumit”. Kjo solli edhe ngjarjen në autostradë”.