Në ditën e fillimit zyrtar të fushatës elektorale,delegacioni i BE-së bën thirrje për partive dhe kandidatëve t’i përqendrojnë debatet e tyre në programet përkatëse politike dhe në reformat që ata synojnë të paraqesin për të përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve.
Deklarata e plotë:
“Kreu i Delegacionit të BE-së dhe Shefat e Misioneve të Shteteve Anëtare të BE-së në Shqipëri kanë ndjekur nga afër përgatitjet për zgjedhjet parlamentare dhe fushatën elektorale deri më tani. Fillimi i fushatës zyrtare është rasti që partitë dhe kandidatët t’i përqendrojnë debatet e tyre në programet përkatëse politike dhe në reformat që ata synojnë të paraqesin për të përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve.
Në këtë moment, ne kujtojmë rëndësinë e dialogut politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës, siç e ilustroi veçanërisht konsensusi i gjerë ndërpartiak që çoi në marrëveshjen e 5 qershorit me Këshillin Politik për reformën zgjedhore. E njëjta frymë duhet të frymëzojë edhe fushatën elektorale bazuar te respekti i ndërsjellë, dialogu dhe sjellja e moderuar, dhe që të zhvillohet në mënyrë paqësore pa retorikë provokuese dhe pa gjuhë urrejtjeje.
Zgjedhjet transparente, gjithëpërfshirëse, të lira dhe të ndershme dhe respektimi i rezultatit të tyre janë të rëndësishme për t’i siguruar legjitimitetin e Kuvendit të ri dhe Qeverisë së re. Ne kemi besim se të gjitha institucionet përkatëse shqiptare dhe aktorët politikë do të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Inkurajojmë qytetarët e Shqipërisë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar duke respektuar të gjitha masat kundër pandemisë COVID-19.
Mirëpresim dhe mbështesim përpjekjet e organizatave të shoqërisë civile shqiptare për të vëzhguar fushatën zgjedhore dhe procesin Ditën e Zgjedhjeve. Komuniteti ndërkombëtar po mbështet dhe monitoron në mënyrë aktive të gjithë procesin e përgatitjes dhe të zhvillimit të zgjedhjeve, para së gjithash përmes misionit ODIHR. ditën e zgjedhjeve, Delegacioni i BE-së dhe Ambasadat e Shteteve Anëtare të BE-së gjithashtu do të vizitojnë një numër të madh të vendvotimeve.
Ne jemi të vendosur përkrah Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.“
ora news