Në raport ish-presidenti akuzohet si person që tentoi të minonte demokracinë kur ishte në krye të Presidencës.
Gjermanët i kanë dhënë një goditje të fortë klasës politike në vend. Edi Rama, Ilir Meta dhe Sali Berisha kanë 30 vite që na drejtojnë dhe për ndërkombëtarët kjo është arsyeja që Shqipëria renditet mes vendeve të prapambetura.
Fondacioni gjerman “Bertelsmann” ka publikuar së fundmi raportin për Shqipërinë, sa i takon indeksit të transformimit. Situata politike dhe ekonomike në Shqipëri vijon të jenë të brishta. Në raport përmenden me emra liderët politikë, ku shuplaka më e fortë shkon për ish-presidentin Ilir Meta. Raporti bazohet në periudhën 2019-2021.
Në raport ish-presidenti akuzohet si person që tentoi të minonte demokracinë kur ishte në krye të Presidencës. Aty përmenden rastet e përplasjes me mazhorancën për zgjedhjet.
“Përveç anulimit të diskutueshëm të zgjedhjeve lokale të 2019-ës, ai i bënte thirrje sistematike popullit shqiptar të rrëzonte qeverinë e zgjedhur. Në mars 2020, i mbështetur nga opozita, ai u bëri thirrje mbështetësve të tij që të organizohen kundër asaj që ai e quante një “grusht shteti qeveritar kundër demokracisë”. Që atëherë, ai e shndërroi rolin e tij ceremonial, në një instrument luftimesh politike të padisiplinuara duke sulmuar autoritetet qeverisëse dhe madje edhe aktorët ndërkombëtarë, duke i etiketuar si mafia ndërkombëtare”, thekson raporti. Më tej Meta akuzohet se tentoi të kapë sistemin e drejtësisë dhe përmenden emërimet në gjykatën Kushtetuese.
Një goditje e fortë i jepet edhe LSI-së, tani Partia e Lirisë. Sipas dokumentit të siguruar nga “Pamfleti”, LSI cilësonte si një parti që shkon pas pushtetit. “LSI është një parti socialiste më “pragmatike” që bashkon ose sulmon ndonjë nga partitë kryesore për sa kohë që kjo strategji e lejon atë të marrë pjesë në qeveri dhe të ndajë plaçkën e qeverisjes”, thekson raporti.
Nuk mbetet pas edhe Berisha. Në raport theksohet se ai hiqet si lider i demokracisë, por është një komunist i vjetër. “Në praktikë, lidhjet me regjimin e vjetër janë të dendura dhe përshkojnë të gjitha familjet politike. Konkretisht, PD e ka përvetësuar luftën kundër komunizmit, por drejtuesit kryesorë të saj, përfshirë liderin e saj historik, Sali Berisha, ishin të lidhur mirë me regjimin komunist”, thekson raporti.
Sa i takon socialistëve, në raport thuhet se ata kanë marrë të gjithë pushtetet. Po ashtu theksohet se Rama ka një pushtet të centralizuar, pasi në qeveri fut rrethin e tij më të ngushtë.
“Megjithatë, qeveria, e cila gëzon një shumicë absolute parlamentare dhe konkurrencë relativisht të vogël, ka ruajtur gjithashtu një stil të centralizuar dhe personalist të qeverisjes. Shumë nga individët që mbajnë poste ministrore dihet se janë besnikë ndaj kryeministrit dhe pak janë ekspertë në fushat përkatëse ministrore ose kanë shumë përvojë politike. Tranzicioni shqiptar ka treguar edhe një herë se tipare të tilla personaliste të regjimit nuk i shkojnë mirë legjitimitetit apo stabilitetit të reformave demokratike me kalimin e kohës”, thekson raporti.
Problematike shihet dhe drejtësia. Aty bëhet me dije se pavarësisht reformës ende nuk po goditen pushtetarët e lartë. /Pamfleti