Kryeministri Edi Rama, pasditen e sotme zhvilloi një takim me qytetarët e Përmetit. Në fokus të diskutimeve ishin investimet e qeverisë në bashkinë e Përmetit.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri u shpreh se ka qenë një punë e mirë dhe e lavdërueshme ajo që është bërë, falë lidershipit të bashkisë dhe sidomos mbështetjes së vazhdueshme së ministres Kumbaro.
Rama: Sot situata nuk është rozë, por padiskutim si në çdo gjë tjetër në këtë moment, po ta krahasojmë me nga u nis puna, është si dita me natën. Po ta krahasojmë me çfarë duhet të bëjmë akoma, jemi në të gdhirë të një dite të re. Ka akoma shumë për të bërë. Ne dimë se ku po ecim dhe e dimë se ku duhet të shkojmë. Ajo për të cilën dua të flas nuk është thjesht Përmeti, por një kontekst më i gjerë.
Ai e pranon se ka ende shumë punë për të bërë, por lufta e ka vështirësuar situatën ekonomike jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën.
Rama: Flitet sikur po bëhet një diskutim për një konflikt të zakonshëm, ndërkohë që mjafton një bombë bërthamore për të zhdukur brenda 30 minutash 45 milionë njerëz. E them këtë sepse ne nuk jemi fatmirësisht në zonën e nxehtë ku lufta sjell bomba, vrasje dhe plagë të rënda, por nuk jemi as jashtë zonës së luftës sepse pasojat e saj na kanë prekur dhe na prekin përditë me inflacionin e luftës, me krizën e madhe të çmimeve të energjisë. Ajo që ne nuk mund të bëjmë dot, është të ndalojmë luftën, ta eleminojmë inflacionin e luftës. Por nga ana tjetër ajo që ne nuk mund të shmangim është përgjegjësia për të lehtësuar sa të mundim këtë barë që rëndon mbi të gjithë, si një flamë që i prek të gjithë dhe përditë. Sot ende në Shqipëri nuk është rritur asnjë qindarkë çmimi i energjisë elektrike për familjet dhe biznesin e vogël. Por ai konsum që vazhdon për gjithë nevojat e jetës së përditshme kushton shumë herë më tepër se çfarë familjet dhe bizneset paguajnë. Atë e mbulojmë ne, buxheti i shtetit.
Kryeministri theksoi se qeveria ka mbështetur dhe do vazhdojë të mbështesë familjet, duke mos ia faturuar çmimin e rritur të energjisë.