Detaje të reja kanë dalë nga vrasja që tronditi mëngjesin e sotëm Fushë-Krujën, ku 34 vjeçari, Indrit Ndoj u gjet i pajetë në një rrugë dytësore në lagjen “Bakishe Visha”.
Ishin familjarët ata të cilët teksa ishin duke shkuar për në punë gjetën trupin e të riut të hedhur në një kanal anash rrugës.
Në deklaratën e dhënë për policinë ata kanë bërë me dije se nuk kanë hasmëri me askënd dhe se dyshojnë se 34 vjeçari është vrarë diku tjetër pasi në vendin ku gjetën trupin nuk ndodhej biçikleta me të cilën Indrit Ndoj udhëtonte gjithmonë.
“Indriti mund të jetë vrarë diku tjetër pasi nuk ka biçikletën me të cilën udhëtonte gjithmonë”, mësoeht të jetë thënë nga familjarët në polici.
Ndërkohë, Indrit Ndoj rezulton të jetë një emër i njohur për policinë pasi në 19 shtator të viti të kaluar ai u arrestua teksa ishte duke transportuar 19 emigrantë të paligjshëm.
Kujtojmë se trupi i pajetë i të riut u gjet mëngjesin e sotëm me një plagë në këmbë, e cila dyshohet të jetë shkaktuar nga armë zjarri.