E

pritën derisa zbriti bashkëshorten dhe fëmijën. E pritën sa parkoi makinën në garazh dhe pastaj e qëlluan barbarisht me kallashnikov. Mbeti i vrarë në vend, aty në hyrje të parkimit në vendin e quajtur “Kodra e Diellit”, e cila njihet si zona preferenciale, jo vetëm e të pasurve dhe njerëzve me influencë, por edhe e personave të dyshimtë.

Një krim që besohet se ishte paraprirë nga një vazhdë gjaku dhe që policia këmbëngul paraprakisht se u ndez pikërisht për konkurrencën mes meshkujsh për një femër.

Policia në të dhënat e para, beson se viktima Briken Sanaj 39 vjeç, u vra për shkak të konflikteve që ka pasur më herët vëllai i tij, Antonio Sanaj.

Konflikti që ka shtyrë autoritetet të hapin dosjet, lidhet me sherrin e 29 marsit 2012, që pati të shtëna armësh, e që më pas nuk u la me kaq.

Por për të marrë “barazimin”, palët qëlluan në një lokal në Lezhë, duke vrarë një të pafajshëm.

Si nisi konflikti

Historiku i dy familjeve kundërshtare, tregon se si dy të rinjtë që u përplasën me njëri-tjetrin, Gentian Kola nga njëra anë dhe Antonio Sanaj nga ana tjetër, u larguan nga Lezha.

Ashtu si i vëllai, edhe viktima e radhës, bëjnë me dije burimet e Gazetasi.al, u larguan nga Shqipëria, por u rikthye me shpresën se hasmëritë i përkisnin të kaluarës.

Një skemë paraprake që ndërtuan agjentët e hetimit të vrasjeve, thuhet se vëllai i Briken Sanajt, pas konfliktit për një vajzë këtu e 10 vite më parë (sherr i ndodhur në Lezhë), qëlloi me armë zjarri dhe plagosi shtetasin Gentian Kola.

Nga ky vit (2012), sipas policisë, meshkujt e të dyja familjeve u vunë në gjurmim të njëri-tjetrit.

Sipas policisë, nga ky atentat i dështuar, familjet shpallën në vitin 2014 statusin e hasmërisë dhe në dosjet policore të Lezhës, shkruhet se familja e Viktor Kolës, e cila banon në ishull Lezhë, mund të thuhet se është në hasmëri gjakmarrjeje me familjen e Mark Sanajt, thoshte në atë kohë një agjent terreni, i cili shkruante dhe raportonte tek eprorët situatën e nxehtë.

Hasmëria dhe objektivi i gabuar

Bëhet me dije se tre vjet pas ndezjes së konfliktit për një grua, në vitin 2015, i riu që mbeti i plagosur, Gentian Kola, mori masa dhe në mënyrë gjakftohtë, përgatiti planin për t’u kundërpërgjigjur.

Policia dyshoi se në korrik 2015, njerëzit që qëlluan me armë zjarri në drejtim të Antonio Sanajt, i cili gjendej në rrugën “Besëlidhja”, kishin lidhje direkte me kundërshtarët e tij.

Por në këtë atentat u dyshua, po ashtu si vrasësit që ngatërruan objektiv dhe nga të shtënat ndërroi jetë aksidentalisht 23-vjeçari Kristjan Marku dhe u plagos Altin Gjonaj.

Ngjarja ndodhi para 7 vjetësh rreth orës 21:35 në lokalin “Libraria” në lagjen “Besëlidhja” përballë kompleksit të shkollave, ku viktima sapo dilte nga një lokal.

Ndonëse u vendosën 5 mijë euro shpërblim dhe qytetarët protestuan duke kërkuar arrestimin e vrasësve dhe gjetjen e tyre, autorët nuk u zbuluan.

Megjithatë, policia kishte në sirtar një pistë, të cilën e mbajti vetëm teorikisht, pasi edhe ndër vitet që pasuan, ajo nuk u plotësua me prova bindëse.

Pavarësisht se patën në skedarë në atë kohë emrin e Gentjan Kolës, një 41- vjeçar nga ky qytet, për autoritetet nuk u realizua zbardhja e krimit, ashtu si edhe as autorësia e plagosjes së tij, që sërish u dyshua se kishte si shkrepës arme Antonio Sanajn.

Vetëm një femër?

Megjithatë, Policia e Tiranës thekson për Gazetasi.al se këto të dhëna janë përftuar nga analizimi i parë fill pas atentatit të së dielës.

Por nuk përjashtohen edhe pista të tjera, siç është ajo e përplasjeve për ngjarje të tjera, potencialisht të ndodhura jashtë Shqipërisë.

Por policia kriminale nuk është në gjendje të sqarojë se për çfarë konfliktesh bëhet fjalë.

“Mënyra si u qëllua 39-vjeçari, tregon se vrasësit e dinin që ai gjendej këtu për një ceremoni martesore të të afërmit të tij. E kanë ndjekur qetësisht dhe në formë të kalkuluar dhe po ashtu kanë pritur derisa ai të mbetej vetëm për ta vrarë”, – shpjegon një oficer krimesh për Gazetasi.al.

Sipas tij, fakti që vrasësit e dogjën më pas makinën, tregon se krimi u planifikua qetësisht dhe profesionalisht prej autorëve.

Sa i takon pistës tjetër, asaj të gjakmarrjes, policia shton se ajo është kryesorja, por ende nuk ka shoqëruar të dyshuar konkretë që janë anëtarë të familjes tjetër. Marrë nga Gazeta Si

GEAM Sh.p.k