Kryetarët e komunave veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, kanë thënë të dielën dorëheqje para kuvendeve përkatëse.
Njëjtë kanë vepruar edhe këshilltarët në kuvendet komunale nga radhët e Listës Serbe.
Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila e ka mbështetjen e Beogradit.
Një ditë më parë, më 5 nëntor, kjo parti ka njoftuar për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.
Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.
Goran Rakiq, kryetari i Listës Serbe, ka thënë më 5 nëntor se vendimi për largim nga institucionet do të zbatohet deri në momentin kur Qeveria e Kosovës të tërheqë vendimin për riregjistrim të makinave dhe të respektojë marrëveshjet e Brukselit.
Plani për targat
Prej 1 nëntorit, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj – në tri faza – për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.
Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.
Besohet se në Kosovë janë rreth 10.000 makina me targa serbe.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrje 12-mujore të vendimit për targat.
Autoritetet në Kosovës kanë akuzuar Serbinë për vendimin e Listës Serbe dhe u kanë bërë thirrje serbëve në Kosovë që të mos jenë pre e atyre që i kanë konsideruar manipulime serbe.
Zyrtarët në Serbi, në anën tjetër, kanë mbështetur vendimin e serbëve për dorëheqje.
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të përmbahen nga çfarëdo veprimi i njëanshëm që mund të rrisë tensionet.
Borell ka thënë se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale.
“Zhvillimet e fundit rrezikojnë punën e madhe që është bërë në kuadër të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë ai.
Në orët e mbrëmjes së 5 nëntorit, NATO-ja ka thënë se misioni i saj në Kosovë, KFOR mbetet vigjilent dhe i gatshëm për të intervenuar në rast se rrezikohet stabiliteti.
Njohësit e çështjeve politike dhe ligjore besojnë se nëse formalizohen dorëheqjet e serbëve, atëherë veriu i Kosovës rrezikon të kthehet në periudhën para vitit 2013.
Në këtë vit është nënshkruar marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”./REL/