Ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu ka bërë një deklaratë rreth sulmit me bombë në rrugën Istiklal, Stamboll nga i cili mbetën të vdekur gjashtë persona ndërsa të plagosur dhjetëra të tjerë.
Soylu deklaroi se personi që hodhi bombën në rrugën Beyoğlu Istiklal u ndalua nga Departamenti i Policisë së Stambollit.
Ai është shprehur se që nga momenti i shpërthimit, Policia e Stambollit dhe të gjitha njësitë janë duke punuar për vendin e origjinës, vendin ku është marrë urdhri dhe ata që kanë kryer aksionin.
Në këtë drejtim, mediat e huaja kanë shpërndarë edhe pamje të cilat thuhet se tregojnë momentin e arrestimit nga Departamenti i Policisë së Stambollit të personit që dyshohet se la bombën.
Ndërkohë është bërë e ditur se autoritetet turke kanë arrestuar më shumë se 20 të dyshuar, duke përfshirë një person që besohet të ketë vendosur një bombë që shpërtheu në një rrugë këmbësorësh në Stamboll.
Dhe Suleyman Soylu tha se gjetjet fillestare treguan se militantët kurdë ishin përgjegjës për shpërthimin vdekjeprurës.
“Personi që vendosi bombën është arrestuar”, tha Soylu në një deklaratë gjatë natës të transmetuar nga agjencia zyrtare Anadolu dhe stacionet televizive lokale. “Sipas gjetjeve tona, organizata terroriste PKK është përgjegjëse”.
Janë arrestuar edhe 21 të dyshuar të tjerë, ka shtuar ai. Autoritetet thanë se gjashtë persona u vranë dhe 81 u plagosën në shpërthimin e së dielës në “Istiklal Avenue”, një rrugë popullore e mbushur me dyqane dhe restorante që të çon në sheshin ikonik Taksim.
Ministri akuzoi gjithashtu forcat kurde që kontrollojnë pjesën më të madhe të Sirisë verilindore, të cilën Ankaraja e konsideron terroriste, se qëndrojnë pas sulmit.
“Ne besojmë se urdhri për sulmin është dhënë nga Kobane”, shtoi ai.