Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka folur një natë më parë për vaksinimin, infektimet dhe situatën e Covid-19 në vendin tonë. Në një intervistë televizive, Manastirliu u pyet nëse shteti do bashkëpunojë me privatin për vaksinës, pra nëse njerëzit që nuk duan tëp resin në radhë të paguajnë lekë dhe të shkojnë në privat.Ministrja tha se jo, duke kujtuar edhe procesin e tamponit. “Shteti nuk do ta lëshojë, sikur ndodhi me tamponët, pra nuk do të ketë liberalizim të tregut. Deri tani të gjitha proceset janë bërë nga qeveritë, ne do të vijojmë me këtë, pastaj sesi do të vijojë… Vaksinat do të jenë të garantuara nga shteti”, tha ajo.

Ajo bëri të ditur se përgjatë një viti luftë me Covid, janë infektuar 3200 mjekë, ndërsa nuk ka preferuar të tregojë numrin e bluzave të bardha që kanë humbur jetën. “Për arsye etike do të preferoja që humbjet e jetës së mjekëve të mos i cilësoja në numra. Janë 3200 mjekë që përgjatë një viti kanë rezultuar të prekur me COVID-19 dhe praktikisht nëse do të krahasonim me vende të tjera është një përqindje që konsiderohet në tërësi, të tëra vendet e kanë pasur”, tha ajo.

Manastirliu tregoi edhe se vaksinë do të marrin të gjithë mësuesit, edhe ato që punojnë në shkolla publike dhe në jo publike. Ajo u pyet si po bëhet shpërndarja gjeografike e vaksinimit?  “Aspekti i vaksinimit është vlerësuar nga ekspertët e ISHP me njësitë vendore” tha ajo. Pak ditë më parë një i moshuar në Fier, akuzoi se vaksinat po përdoren për politikë. “Kjo është keqdashësi ta thuash këtë. Nuk dua që diskutimi të politizohet. Unë po e them në asnjë moment nuk kemi pretenduar që ne jemi perfekt, aq më tepër në një situatë pandemie globale, apo në një proces që nuk ka 300 ditë që po ndodh, por pas janarit dhe po vijon” përfundoi ministrja.