Ish-rektori i Universitetit të Elbasanit Liman Varoshi është ndarë nga jeta mbrëmjen e djeshme pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.

Lajmi e ka bërë me dije Universiteti Aleksandër Xhuvani me anë të një postimi në faqen e tij zyrtare, ku i shpreh ngushëllimet familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij.

“Ndahet nga jeta prof.dr. Liman Varoshi Është ndarë nga jeta prof.dr. Liman Varoshi. Pas një sëmundje të pashërueshme, ka ndërruar jetë sot një nga figurat kryesore të historisë së Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, ish rektori prof. dr. Liman Varoshi. Gjatë gjithë karrierës së tij ai iu dedikua me përkushtim përgatitjes profesionale të brezave të rinj dhe dimensionit kërkimor e shkencor.

Ai ishte një ligjërues akademik me zotësi të spikatura, i njohur për forcën e argumentit, saktësinë e faktit historik dhe prirjen për përgjithësime të lëvizjeve politike. Ai mbajti leksione jo vetëm në Universitetin e Elbasanit, por edhe atë të Tiranës, por edhe në Universitetin e Tetovës, ishte hartues dhe referues i ciklit të leksioneve “Rilindja Ballkanike, paralele, specifika”, mbajtur në Universitetin e Veliko Tërnovo-s, Bullgari; ka mbajtur leksione mbi vlerat historike dhe arkitekturore të objekteve të kultit në trevën e Elbasanit, mbajtur me studentët e magjistraturës (në fushën e inxhinierisë arkitekturore) të Universitetit të Pavia-s, Itali; po ashtu ka zhvillua lektoriume edhe në në Universitetin Ludëig-Maximilian, Mynih, Gjermani”, thuhet ndër të tjera në postim.

Karriera universitare e profesor Varoshit nisi me zgjedhjen e tij si drejtues i departamentit të historisë dhe edukimit civil nga viti 1996 deri në vitin 2000. Që nga viti 1999 deri në vitin 2008 ishte edhe anëtar i senatit akademik të Universitetit “A.Xhuvani”.

Profesor Varoshi ishte edhe një autor i mirënjohur tekstesh e monografish. Ai është autor i “Një hapësirë më shumë në formimin historik”, botuar në vitin 2003, shtëpia botuese “Sejko”; “Ballkanet mes tri perandorive”, shtëpia botuese “Naimi”, botuar në vitin 2010; “Lufta e ftohtë” në Europën e Lindjes, shtëpia botuese “Naimi”, botuar në vitin 2010; “Europeizmi si histori mendimi”, shtëpia botuese “Naimi”, botuar në vitin 2012. Botimi i fundit i profesor Varoshit ishte “Dukuri dhe personalitete në albanologji”, në bashkautorësi. Rektorati, profesorati, kolegë, shokë e miq të Universitetit të Elbasanit i përcjellin ngushëllimet më të ndjera familjes Varoshi! Jeta dhe vepra e tij do të shërbejë si shembull për brezat që vijnë

Lajmi i fundit