Aksi rrugor Qukës – Qafë Plloç, një nga segmentet më të rëndësishëm lidhës mes zonave të juglindjes me Tiranën, ende nuk është finalizuar. Edhe pse kanë kaluar 11 vjet që prej fillimit të punimeve në këtë segment,funksionaliteti i tij është ende larg.


Qeveritë e njëpasnjëshme premtuan finalizimin e kësaj nyje lidhëse, por mesa duket pas çdo fjale të thënë punimet stërzgjaten.


Ajo që mund të shohësh në këtë aks rrugor është vetëm balta dhe pluhuri, të cilat kanë krijuar një situatë aspak të mirë për banorët në zonë.

Ndërtimi i segmentit rrugor nisi në 2011 ndërsa 2 vjet më pas Banka e Fondit Saudit për Zhvillim pranoi të japë një kredi me vlerë 125 milionë dollarë për financimin e punimeve.
Kështu, kostoja totale e rrugës së bashku me shpronësimet kap vlerën e 180 milione dollarëve, diferencë kjo e cila do të duhet të plotësohet nga buxheti i shtetit.
Gjatë një inspektimi në muajin shtator, ministrja Balluku u shpreh se po punohet me intesitet për finalizimin e aksit,por pezullimi i punës në kohë ka ardhur si pasojë e problematikave gjeologjike.
Ky aks rrugor është pjesë e korridorit Tiranë – Korçë dhe parashikon të ulë me 1 orë udhëtimin nga kryeqyteti drejt juglindjes.
Ajo që të gjithë pyesin në këto momente është se : edhe sa kohë do na duhet që të presim?