A duhet të japë dorëheqjen Lulzim Basha nga kreu i Partisë Demokratike? Kësaj pyetje Gazment Bardhi i është përgjigjur se në PD duhet të kryhet një analizë e thellë përpara se të dilet në konkluzione.

Megjithatë ai ka shtuar se beson se për PD-në nuk është askush i pazëvendësueshëm. Për rezultatin negativ në zgjedhjet e 6 marsit, Bardhi ka thënë se PD është në një krizë prej disa muajsh dhe kjo ka ndikuar ndaj sipas tij duhet analiza për atë çfarë ka ndodhur.

“E kam thënë që ditën e parë pas 6 marsit se nuk mund të dalësh në konkluzione pa pasur proces në institucione. Do shprehem pas mbledhjes dhe këto ditë i kam shfrytëzuar për analizë për qëndrimin që duhet të mbajë kryesia e PD. Nëse e gjithë gjendja që është PD sot, e ka dëmtuar këtë parti dhe procesi i analizës duhet të jetë serioz. Cilido që pa kryer procesin e analizës del në konkluzione nënkupton që nuk ka në interes të parë atë të demokratëve.” tha Bardhi.

“Në çdo qëndrimin timin në politikë kam pasur koherencën dhe interesin e demokratëve. Këtyre parimeve unë nuk do u iki deri ditën e fundit.”

Sipas Bardhit nuk mund tu ikësh përgjegjësive duke u larguar nga postet në parti.

“Unë nuk mendoj dhe nuk besoj që secili prej nesh nuk ka përgjegjësi për situatën. Por askush të mos mendoj që duke ikur u ikën përgjegjësive. Ndaj duhet të jetë proces i plotë. Është gjë e thjeshtë të themi po ikim.”

“Demokratët kanë nevojë për përgjegjësi. Nuk e trajton dot PD vetëm në ditë të mira dhe në ditë të vështira largohesh.”

“Në PD nuk ka njerëz të pa zëvendësueshëm në pozicione. Por nuk mund ta thjeshtëzosh problemin e PD në një emër apo dy karrige. Kjo është të mos mendosh për PD-në. Gjendja në PD nuk i ndihmon demokratët dhe duhet të gjejmë një zgjidhje”

“Ka një problem prej disa muajsh në PD që ka hequr vëmendjen nga aty ku duhej . Nuk ka përfunduar problemi.” tha Bardhi./abcnews.al/