Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka reaguar për herë të parë pas publikimit të lajmit që vëllai i tij, Reshard Këlliçi është i punësuar si këshilltar ligjor pranë shoqërisë AlbGaz me pagë rreth 1.9 milion lek të vjetra.

Shoqëria është themeluar në janar të 2017-s për të ushtruar aktivitetin si Operator i Sistemit të transmetimit dhe shpërndarjes të gazit natyror dhe ajo është në pronësi 100 për qind të shtetit shqiptar me aksionet që zotërohen nga Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Belinda Balluku.

Ditën e sotme, Belind Këlliçi thotë se është krenar që vëllai i tij, një ekspert në këtë fushë, ka lënë Amerikën për të dhënë kontributin e tij në Shqipëri, mirëpo ai shtoi se Reshard Këlliçi ka dhënë dorëheqjen nga ky post pas caktimit të Belind Këlliçit si drejtues politik i PD në Tiranë, sepse nuk donte që asocimi i tij me një institucion shtetëror, të kthehej në konflikt interesi dhe të përdorej si mjet sulmi ndaj vëllait.

Në fund të reagimit të tij, Belind Këlliçi bën me dije se për shipfjet e bëra në drejtim të vëllait, padia do të përgatitet dhe do të depozitohet së shpejti në gjykatën perkatese. Rikujtojmë se Lulzim Basha po ashtu komentoi në lidhje me këtë çështje ditën e sotme, duke thënë se nuk kishte dijeni që vëllai i Këlliçit punonte pranë Ministrisë së Energjitikës. (Lexo ketu)

REAGIMI

Për të gjithë ata që janë konfuzuar në lidhje me lajmet e fundit rreth vëllait tim Reshard Këlliçit dhe për ato media që ‘rastësisht’ pyesin deputetin Basha për vëllain tim, sqaroj me përgjegjësi të plotë se:

1.Reshard Këlliçi, vëllai im ka punuar për rreth 4 vite si avokat për financimin dhe zhvillimin e projekteve energjitike dhe infrastrukturore me studion ligjore globale Hogan Lovells, e bazuar në Washington DC dhe Londër.

2.Redi shërben aktualisht si Ekspert për Shqipërinë pranë Sekretariatit të Energjisë për Bashkimin Europian me specialitet të veçantë – këshillimin e institucioneve.

3.Vëllai shërben si Sekretar i Përgjithshëm i Bordit Drejtues të AmCham (Dhomës Amerikane të Tregtisë) dhe gjithashtu shërben si Anëtar Bordi i të njëjtës organizatë. Një nga principet kryesore të AmCham është rritja e investimeve Amerikane në Shqipëri dhe përmirësimi i klimës së biznesit në vend.

4.Redi nuk ka dashur asocimin me një ndërmarrje shtetërore që në fillimin e tij, pasi gjithmonë ka patur orientimin e punës në sektorin privat. Sidoqoftë, për më shumë se një arsye, bisedat paraprake në lidhje me investimet amerikane në fushën e Energjisë, përfshirë këtu projektin e gazit natyral të likuifikuar ku zhvilluesit kryesorë të projektit janë Exxon dhe Açelerate, dy kompani amerikane të njohura botërisht, ishin diçka që kërkonin njohuri dhe sofistikim komercial dhe ligjor me praktikat amerikane, gjë që vëllai im (si pak kush sot në Shqipëri) e posedon dhe ushtron përditë në praktikën e tij si partner tek Studio Ligjore Frost & Fire Consulting. Ishte si në interesin e Shqipërisë por dhe veçanërisht në atë të Amërikes që ky projekt të shkonte sa më mirë. Për këtë arsye, vëllai i la mënjanë bindjet personale dhe iu përgjigj pozitivisht kërkesës së përsëritur nga aktorë të ndryshëm, kombetarë dhe të huaj (kryesisht amerikanë) që të përfshihej për 1 vit në Albgaz në kapacitetin e tij si Këshilltar Juridik.

5.Jam krenar që im vëlla dhe profesionistë të tjerë si ai në Shqipëri kanë ardhur nga jashtë të kontribuojnë në vendin tonë.

Por për shkak të vlerave dhe standardit etik dhe moral që unë aspiroj dhe mbroj fort, Redi në Shkurt të këtij viti që po lemë pas dha dorëheqjen nga Albgaz, fill pas caktimit tim si drejtues politik i PD në Tiranë, sepse nuk donte që asocimi i tij me një institucion shtetëror, të kthehej në konflikt interesi dhe të përdorej si mjet sulmi ndaj meje.

Për këtë arsye Redi mori vendimin e tij dhe ka shkëputur çdo marrëdhënie me atë institucion në muajin shkurt, 2 muaj përpara zgjedhjeve në Prill të këtij viti.

6.Për shipfjet e bëra në drejtim të tim vëllai dhe për përpjekjen e shëmtuar për të denigruar fytyrën e një nënshtetasi shqiptaro-amerikan që ka vendosur të kthehet në vendin e tij për të kontribuar mbas 20 viteve në SHBA, ju siguroj se padia do të përgatitet dhe do të depozitohet së shpejti në gjykatën perkatese.

Ndoshta shpifja këtu është bërë rrugë, por më vjen keq t’ju them që integriteti dhe reputacioni i një avokati amerikan që ka punuar për studion nga ku ka dalë dhe ai që sot është Kryetari i Gjykatës Supreme të SHBA, nuk mund të përbaltet si kolateral i betejave politike në Shqipëri apo i atyre që i ka zënë paniku i lirimit të zyrës.

Faleminderit!

(E.H/Faxweb.al)