Shtatë pikë në tri takimet e para në kampionat e kanë ngjitur Elbasanin për momentin në krye, po aq sa Bylisi dhe Apolonia. Një ecuri pozitive, duke marrë parasysh rivalët që ka pasur përballë dhe për më tepër dy prej tyre kanë qenë transferta. Për trajnerin Nevil Dede janë mëse të kuptueshme vështirësitë e fillim sezonit, por në tërësi skuadra që ai drejton ka bërë mirë deri më tani.

Aktualisht elbasanasit janë duke vijuar përgatitjet në kuadër të sfidës me fierakët që do të luhet të dielën në orën 19:00 në “Elbasan Arena”. Një ndeshje e cila ka ngjallur që tani interesimin e tifozerisë vendase, që besohet se do të jetë e shumtë në numër. Dede thekson se skuadra do të bëjë gjithçka, që përpos rezultatit, të kënaqë edhe tifozët.

Biletat në shitje për ndeshjen pritet të dalin në ditët në vijim, me klubin që ka menduar që ato të kenë çmime simbolike, në mënyrë që askush të mos privohet për të parë nga afër skuadrën e qytetit./EGNATIA NEWS