Asgjë nuk harrohet. Policia identifikon kufomën që u gjet e dhunuar dhe gjysmë e djegur në Kodër Shupal të Malit të Dajtit më 16 maj 2017.

Kufoma i përket shtetasit Menduh Shaban Kurt-Deda, lindur më 03 shtator 1956, në fshatin Sohodoll, Dibër dhe në kohën e ngjarjes, banues në Lukovë, Sarandë.

Pesë vite më pas policia thotë se ka arrestuar autorët një burrë, një grua dhe djali i gruas është shpallur në kërkim.

Vetë Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë doli në një deklaratë për median për të dhënë detaje mbi zbardhjen e krimit të ndodhur 5 vite më parë, identifikimin e autorëve dhe arrestimin e dy prej tyre.

Gazmir Ngota, 39 vjeç dhe Marjeta Karaj, 56 vjeçe, të dy banues në Tiranë. Në vijim të veprimeve për këtë rast, u shpall në kërkim shtetasi Besmir Karaj, 34 vjeç, banues në Tiranë, djali i shtetases së arrestuar Marjeta Karaj. Ai ndodhet jashtë shtetit.

Të tre këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kanë kontaktuar në zonën e Xhamllikut, shtetasin Menduh Kurt–Deda, i cili fshihej prej kohësh, si pasojë e një borxhi të pashlyer, e kanë marrë me forcë atë, në automjet, dhe kanë shkuar në zonën e Alliasit, ku kanë ushtruar dhunë ndaj tij.

Më pas, shtetasit B. K. dhe G. N., e kanë transportuar shtetasin Menduh Kurt–Deda, në një zonë pyjore, në vendin e quajtur “Kodër Shupal”, ku pasi e kanë dhunuar dhe lidhur 61-vjeçarin, e kanë djegur atë me “ deklaroi drejtori i Policisë së Tiranës Lorenc Panganika sot në një konferencë për median.

Vijon puna për kapjen dhe vënien para pergjegjesise ligjore të shtetasit B. K, si dhe për dokumentimin e plotë me prova ligjore të kësaj ngjarjeje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Për vitin 2022, në qarkun e Tiranës, kanë ndodhur 7 vrasje, nga të cilat 5 janë zbardhur.

ora tv