Qendra e Regjistrimit të Automjeteve e cila gjendet në objektin e komunës në Zubin Potok është djegur nga disa persona, të dyshuar serbë.
Përveç kësaj qendre, është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan ku dyshohet edhe për një mjet shpërthyes, ndërkohë që flakët kanë shkatërruar gjithçka.
Për këto raste ka njoftuar Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai e ka quajtur këtë akt kriminal me elemente terroriste
Sveçla ka kërkuar nga qytetarët në veri “që të respektojnë ligjet dhe të mos dirigjohen apo manipulohen nga ata të cilët mbijetojnë politikisht, apo përfitojnë materialisht, vetëm falë tensioneve.”
Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës vijojnë tashmë prej 6 ditësh, pas vendimit të kryeministrit Albin Kurti për të zbatuar reciprocitetin mes dy vendeve sa i takon cështjes së targave. Sa kohë që qytetarët e Kosovës duhet të pajisen me targa të tjera në kufirin serb, e njëjta gjë pret tashmë dhe serbët që udhëtojnë me mjetet e tyre në Kosovë.
Pavarësisht thirrjeve për qetësi, situata duket të jetë e ndezur.