Komisioni i Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit në PD, e njohur dhe si Gjykata e Partisë, ka vendosur në mbledhjen e sotme të pezullojë procesin e rivotimit për Kryesinë e Degës së Korçës. Zgjedhjet do të mbaheshin nesër, ndaj duke parë kohën e shkurtër në dispozicion, është vendosur pezullimi.

Në këtë Degë u votua normalisht si në degët e tjera, por pati shumë kontestime, për shkak se u akuzua se votat u numëruan në fshehtësi dhe pa transparencë. Pasi ka mbaruar procesi i votimit, janë mbyllur dyert, është bërë numërimi dhe janë shpallur rezultatet.

Sipas zyrës së shtypit të PD, nisur nga afati shumë i shkurtër kohor, KAVS vendosi pezullimin e procesit të rivotimit në këtë degë me qëllim hetimin  e plotë dhe të thelluar të kësaj çështje deri në vendimin përfundimtar. Më poshtë, vendimi i marrë në mbledhjen e sotme:

Komisioni i Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit – VENDIM

I mbajtur më datë 24.06.2022 në praninë e anëtarëve të Komisionit të Apelimit, znj. Adriana Kalaja, znj. Anxhela Malko, z. Elton Bano, z. Gledis Çela dhe z. Ledio Nuraj, pasi morëm në shqyrtim ankesën e bërë nga Kryesia e Re e zgjedhur në Degën e PDSH-së Korçë: Në bazë të kërkesës bërë nga Kryesia e zgjedhur e PDSH-së Dega Korçë dhe pasi dëgjuam pretendimet nga një grup anëtarësh të kësaj kryesie përkatësisht znj. Viollandi Stojku, z. Arian Haruni, z. Niko Cukal dhe z. Irvin Bode,

KONSTATUAM: Se kërkesa për pezullim për përsëritjen e procesit të votimit për Kryesinë e PDSH-së, Dega Korçë më datë 25.06.2022, është e drejtë dhe nisur dhe nga afati i shkurtër kohor i përsëritjes së zgjedhjeve si dhe nga fakti I nevojës së kryerjes së një hetimi të thelluar nga Komisioni I Apelimit lidhur më këtë çështje, duhet pranuar.

PËR KËTO ARSYE:

Bazuar në dispozitat ligjore parashikuar në Statutin e Partisë Demokratike shqiptare, e konkretisht në nenet 53 dhe 54 të saj,

VENDOSËM:

  1. Pezullimin e vendimit të KOKOE datë 13.06.2022 me Nr.71/2 Prot., për përsëritjen e procesit të votimit për Kryesinë e PDSH-së, Dega Korçë më datë 25.06.2022, deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Komisioni i Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit pranë PDSH-së.
  2. Njoftimin e këtij vendimi KOKOE dhe Degës PDSH-së Korçë.