Nuk kanë të përfunduar telashet me drejtësinë për ish zv.kryeministrin Arben Ahmetaj. Prokuroria e Posaçme ka marrë për të dytën herë të pandehur ish deputetin socialist.

Ndaj tij është ngritur akuza e “shpërdorimit të detyrës”, për privatizimin e ish-fabrikës së bukës. Sipas SPAK, privatizimi i kësaj fabrike i ka kushtuar shtetit një dëm prej 7 miliardë lekësh, kur është bërë privatizimi Ahmetaj ka mbajtur detyrën e Ministrit të Finacave.

Sipas informacioneve për këtë çështje vijojnë hetimet edhe për persona të tjerë, biznesmenë dhe punonjës të ministrisë së Financave. Nën hetim edhe biznesmeni, Lirim Fezollari, i cili përfitoi nga privatizimi në kohën kur Ahmetaj ishte ministër i Financave.

Burime nga SPAK, bëjnë me dije se ka dyshime se mes biznesmenit dhe ministrit ka pasur marrëdhënie dhe njohje, e për këtë është lehtësuar procedura për privatizimin, e aksioneve të shoqërisë aksionere “Buka Sh.a”. Aksionet shtetërore të pronës në një nga pikat më të lakmuara të Tiranës, u transferuan me firmë të Ahmetajt, teksa paraardhësi i tij Shkëlqim Cani e kishte refuzuar, teksa ky i fundit është pyetur nga SPAK lidhur me këtë çështje muaj më parë.

Prona prej mijëra metrash katror  i është njohur prej vitit 1994 nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, familjes Myderzi. Por përmes një procedure ankandi të hapur në 2014, përfitues i aksioneve shtetërore të kompanisë është bërë biznesmeni Lirim Fezollari. Ky i fundit përmes disa procedurave ankandesh, në kohë të ndryshme ka arritur ta përvetësojë pronën.

SPAK vijon hetimet për këtë çështje për 8 persona dhe 1 subjekt. Ahmetaj i është komunikuar akuza për shkak të afateve, ndërsa për të tjerët hetimet vijojnë pasi çështja është ndarë në një procedim tjetër, ku po hetohen subjekte dhe ish punonjës të ministrisë.