Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, ka refuzuar dje ftesën e homologut të tij maqedonas Dimitar Kovaçevski, për të marrë pjesë në takimin për “Ballkanin e Hapur” që do të mbahet më 7 dhe 8 qershor në Shkup.

Në letrën që i ka dërguar Kovaçenskit, Kurti ka thënë se Kosova është e angazhuar në Procesin e Berlinit, i cili u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në vitin 2020 dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian.

Për këtë qëllim, ne jemi të angazhuar në mënyrë aktive në Procesin e Berlinit, i cili mbulon shumë iniciativa rajonale, duke përfshirë Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), i cili u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në 2020 dhe u miratua dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian”, thuhet në letrën e kryeministrit të Kosovës.

Kurti kishte kritikuar nismën “Ballkani i Hapur”, duke thënë se më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja” sesa një nisme për treg të përbashkët për vendet e rajonit.

Sipas kryeministrit të Kosovës, kjo nismë ku bëjnë pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, duhet të shoqërohet edhe me ballafaqimin me të kaluarën të Serbisë, dhe të presidentit të saj Aleksander Vuçiç.