Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj u ka dërguar deputetëve demokratë propozimin e tij për bashkimin e partisë. Propozimi ka tre shtylla kryesore dhe i është dërguar privatisht një grupit të ngushtë deputetësh.

Hapi i parë për bashkimin e demokratëve është certifikimi i anëtarësisë aktuale, rikthimi i të përjashtuarve ne parti, si dhe anulimi i zgjedhjeve në bazë të cilat Alibeaj i konsideron të njëanshme. Për të përjashtuarit, bëhet fjalë për deputetët që ishin krah Berishës më 8 janar.

PLATFORMË PARIMESH PËR BASHKIMIN E DEMOKRATËVE

  • Aplikimi i parimeve të mëposhtme në vlerësimin e deputetëve të Grupit Parlamentar të PD sjell ndërprerjen e menjëhershme të konfliktit të brendshëm dhe i hap rrugë bashkimit të demokratëve që është interesi i vetëm politik dhe elektoral i Partisë Demokratike të Shqipërisë.
  • Grupi Parlamentar i PD apelon me forcë për shmangien e gjuhës së urrejtjes, shantazhit, përçarjes, fyerjes dhe arrogancës mes demokratëve dhe i bën thirrje secilit anëtar të Partisë të reflektojë dhe të heq dorë nga cdo pozicionim i deritanishëm përçarës mes demokratëve.
  • Anëtarët e Grupit Parlamentar të përjashtuar apo pezulluar nga grupi me vendim të Këshillit Kombëtar të datës 12 janar 2022, rikthehen në grup, si anëtar me të drejta të plota.
  • Anullohet çdo proces i njënashëm riorganizimi apo ngritje të strukturave lokale të partisë, apo mbledhje të strukturave qendrore të partisë, duke e shtyrë në një kohë të përshtatshme që përcaktohet në përputhje me rregullat e caktuara në këtë dokument.
  • Grupi Parlamentar ngre një grupi pune të përbashkët për hartimin dhe ndjekjen e zbatimit të planit të detajuar për realizimin e bashkimit të partisë (nga baza në qendër). Grupi i Punës propozon rregullat dhe kalendarin e procesit, si dhe planin e detajuar të riorganizimit të strukturave të partisë nga poshtë-lart, të cilat miratohen në një mbledhje të posaçme të Grupit Parlamentar.
  • Grupi i Punës i ngritur nga Grupi Parlamentar përcakton strukturat zbatuese të këtij plani ribashkimi. Zbatimi i këtij plani administrohet tërësisht në qendër nga GPPD, kurse në nivel dege dhe ne nivel grupseksioni, realizohet nga grupe pune të përbashkëta të monitoruara nga GPPD. Detyrat e secilit grup, në nivel dege apo grupseksioni, realizohen sipas këtyre hapave konsekutivë:

Hapi 1: Certifikimi i anëtarsisë aktuale, dhe paralelisht me këtë të realizohet hapja dhe pasurimi i anëtarësisë me përfaqësues nga cdo shtresë e shoqërisë që ideologjikisht janë afër vlerave dhe programit të PD. Të përcaktohen kritere dhe procedurë e qartë e identifikimit dhe anëtarësimit.

Hapi 2: Fillimi i procesit të zgjedhjeve në nivel seksioni, grupseksioni dhe dege. Grupi i punës të shërbejë si filtër i kandidaturave për secilin nivel. Në raste mosmarrëveshjesh, cështja zgjidhet nga GPPD.

Hapi 3: Më pas zhvillohet procesi i zgjedhjes së kryetarit të Partisë. Marrja e propozimeve për kryetar të PDSH, percaktimi i kritereve të kandidimit dhe filtrimi i kandidaturave të bëhet nga grupi  parlamentar me votë të fshehtë. Të drejtën për të kandiduar e ka cdo demokrat që plotëson kriteret e përcaktuara.

  • Grupi Parlamentar ngre grupe pune për nisjen e një fushate ndërgjegjësuese në bazë me qëllim bashkimin mes demokratëve, si dhe përgatitjen e partisë për zgjedhjet e ardhshme lokale.