Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj paraqiti sot platformën e bashkimit të PD-së e cila është firmosur nga 32 deputetë, duke filluar nga Lulzim Basha, Agron Gjekmarkaj, Dashnor Sula, Alfred Rrushaj, Ferdinand Xhaferaj dhe të tjerë.
Alibeaj theksoi se disa prej deputetëve kanë kërkuar që në këtë draft të përfshihej dhe fakti që Sali Berisha të mos ishte pjesë e Grupit të PD-së, por pa bërë më dije emrat e propozuesve të kësaj kërkese.
Më tej, Alibeaj tha se këto kërkesa të deputetëve nuk janë pranuar të ishin pjesë e platformës, pasi nuk kanë gjetur mbështetjen e të gjithë deputetëve që kanë firmosur draftin.
Alibeaj mes të tjerave theksoi se Agron Gjekmarkaj dhe Ferdinand Xhaferraj kanë kërkuar që të ndalohej drejtimi i Partisë Demokratike nga një kandidat që ka pasur drejtimin e partisë për dy vite radhazi dhe që ka humbur zgjedhjet parlamentare që në këtë rast penalizon Sali Berishën dhe Lulzim Bashën.
“Për ilustrim:
a) kolegët Agron Gjekmarkaj, Ferdinand Xhaferraj, etj., kishin propozim shtesë që në qëndrim të specifikohej se Sali Berisha dhe Lulzim Basha nuk mund të kandidojnë për pozicionin e kryetarit të Partisë.
b) Kolegët Alfred Rushaj, Fatjon Veizaj, etj. kishin disa komente që kishin të bënin me përcaktimin e kritereve të qarta për zgjedhjen e kryetarit të partisë apo komente të tjera shtesë.
c) Kishte edhe disa kolegë që kërkonin që të specifikohej që Sali Berisha nuk mund të jetë pjesë e grupit parlamentar, apo dy kolegë të tjerë që kërkonin të specifikohej që Sali Berisha duhet të kthehej në Grupin Parlamentar.
Por të gjitha këto çështje, sa kohë nuk kishin dakordësinë e shumicës së deputetëve që propozojnë dhe mbështesin këtë qëndrim, nuk mund të përfshiheshin në këtë qëndrim të shumicës së Grupit Parlamentar. Megjithatë këto cështje janë të hapura për tu diskutuar në një moment tjetër, me frymë mirëkuptimi dhe gjithëpërfshirje.
Në përfundim më lejoni t’ju informoj se këtë qëndrim të shumicës së Grupit Parlamentar, do e bëj me dije edhe anëtarëve të Kryesisë së Partisë, anëtarëve të Kolegjit të Kryetarëve dhe anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.