Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka reaguar për deklaratën e kryeministrit Edi Rama, lidhur me raportin e DASH, ku qeveria shqiptare është cilësuar si më e korruptuara.
Përmes një postimi në Facebook, Alibeaj thotë se nisur nga ky raport një kryeministër normal do të kishte dhënë dorëheqjen.
Postimi i Enkelejd Alibeajt:
Një kryeministër normal që pushtetin e ka fituar me votë të lirë, sapo të kishte lexuar raportin e DASH, do të kishte dhënë dorëheqjen. Qoftë për moral politik e qoftë për interes publik.
Por shqiptarët as e kanë normal dhe as të zgjedhur me votë të lirë, por me votë të blerë nga non grata e grupet kriminale me të cilët ndan pushtetin prej 8 vitesh.
Nuk pritej që Edi Rama të thoshte asgjë tjetër veç batutave bajate me humor shterp për ti ikur thelbit të raportit: Qeveria e tij është e korruptuar në çdo qelizë të saj dhe ai e ka pushtetin e vjedhur dhe ai vetë është koka e këtij korrupsioni.
Edi Rama nuk duhet të jetë pas një viti në qeveri, pasi do të thotë sërish se raporti i ardhshëm, është copy paste i vitit të shkuar.
Peshku (i madhi) ka plasur me kohë sheshit, e po qelb dynjanë! Ashtu si plehrat rreth inceneratoreve. Njerëzia ka zënë hundët, kurse Rama ka zënë sytë!