Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi mbrëmjen e kësaj të mërkure se Partia Demokratike do të kontraktojë një kompani amerikane për të përsosur procesin e primareve, përmes të cilave kjo forcë politike do të zgjedhë jo vetëm drejtuesit në degë, por edhe kandidatët e ardhshëm për kryebashkiakë apo deputetë.

Përmes një interviste të dhënë për emsionin “Bardh e Zi”, Berisha u shpreh se do të kontraktohet një kompani amerikane në sajë të eksperiencës që ato kanë për kryerjen e primareve brenda forcave politike.

“Komisioni është kreu kolektiv i PD-së, se është kolegjial. Thelbi i reformimit të PD-së është nga kryetarokraci në demokraci. Synohet që vendimet t’i kalojnë anëtarësisë dhe votës së lirë dhe jo kryetarit.

Ndryshimet statuore instalojnë zgjedhjet një anëtarë një votë, jo vetëm për të gjithë drejtuesit e partisë, por edhe për të gjithë pushtetarët vendor dhe deputetët.

Në bisedime me miqtë e mi amerikanë do vi një kompani vetëm për modelin e primareve. Ne e përdorën në zgjedhjet e pjesshme, por do ta përsosim me kompaninë amerikane, për shkak dhe të përvojës që ata kanë në zhvillimin e primareve”, tha Berisha.