Ambasadorja e SHBA në Shqipëri Yuri Kim, ka takuar sot drejtuesit e Komisionit Parlamentar për Punët e Jashtme, kryetaren Mimi Kodhelin dhe zv.kryetarin Tomor Alizoti.

Ambasada e SHBA-ve në Shqipëri bën me dije përmes një njoftimi se ata diskutuan rrugën për forcimin e bashkëpunimit midis Amerikës dhe Shqipërisë, në fushat e demokracisë, mbrojtjes dhe biznesit.

Njoftimi i plotë:
Ambasadorja Kim u takua sot me drejtuesit e Komisionit Parlamentar për Punët e Jashtme, Kryetaren Mimi Kodheli dhe Zëvendës Kryetarin Tomor Alizoti. Ata diskutuan rrugën në vijim për forcimin e bashkëpunimit midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fushat e demokracisë, mbrojtjes dhe biznesit.

Ambasadorja Kim shprehu vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për vendimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë për të ofruar përkohësisht një strehë të sigurtë për qytetarët e shpërngulur afganë. Ajo përsëriti gjithashtu mbështetjen e SHBA për përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian, duke theksuar deklaratat e fundit të Sekretarit Blinken, ku ai bën thirrje për hapjen e negociatave sa më shpejt të jetë e mundur. Ambasadorja Kim, Kryetarja Kodheli dhe Zv. Kryetari Alizoti ranë dakord për të punuar ngushtë së bashku për të çuar përpara zbatimin e reformës në drejtësi; forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe aftësive të Shqipërisë si anëtare e NATO-s; dhe rritjen e tregtisë dhe investimeve midis dy vendeve tona. Ata ranë dakord se, qoftë në Tiranë apo Uashington, rëndësia e partneritetit midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë i tejkalon politikat partiake.