Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka renditur kostot dhe përfitimet e amnistisë fiskale që qeveria pret ta realizojë.

Në një konferencë për mediat, ai tha se përfitimet kryesore janë injektimi i likuiditeteve në ekonomi dhe futjen e parasë jashtë sistemit bankar, në sistemin bankar.

Sejko: Komentet e Bankës së Shqipërisë i kemi paraqitur gjatë raportimit në dhjetor në Kuvend. Ne e shohim me kosto dhe benefiti. Përfitimet kryesore janë injektimi i likuiditeteve në ekonomi, përmirësimi it ë ardhurave në buxhetin e shteti. Kryesorja është formalizimi i ekonomisë. Ne kemi një objektiv si edukimin financiar dhe përfshirjen financiare. Futjen maksimalisht të parasë jashtë sistemit banker, në sistemin bankar. Amnistia fiskale do jepte një impakt pozitiv.

Për anët negative, Sejko u shpreh se ato lidhen me shmangien e parave të krimit dhe korrupsionit. Sipas tij, aministia fiskale duhet të mos përsëritet, pra të realizohet një herë në mënyrë funksionale.

Sejko: Nga ana tjetër ka dhe kosto që lidhen me shmangien e parave të krimit dhe korrupsionit. Amnistia duhet të shmangë paratë e pista, nuk duhet të lejojmë pastrimin e parave nëpërmjet këtij mekanizmi. Duhet të mos krijohet koncepti i aministive të vazhdueshme fiskale, duhet bërë njëherë, duhet të jetë funksionale. Të shmangen paratë e krimit dhe korrupsionit. Institucionet publike që merren me të mbledhurën e të ardhurave, duhet të shtrëngojnë masat e amnistisë. Ky është opinion parimor. Projektligji sapo ka dalë, ne do japim mendimin tonë me shkrim. Praktikisht me detaje ligji duhet të analizohet.