Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka thënë se as nuk do ta shqyrtojë kërkesën e Parlamentit Evropian, e cila kërkon që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë të përfundojë me njohje reciproke.

I pyetur se si do të përgjigjet këtij dokumenti të BE-së që për herë të parë po e përmend njohjen reciproke, Vuçiç tha “mirë, me dinjitet dhe mirësjellje”, duke shtuar “Nuk na shkon mendja. Nuk do ta marrim parasysh”. Sipas presidentit serb, përgjigje “më të sjellshme” nuk ka.

Parlamenti Evropian ka miratuar sot rezolutën ku thuhet se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohje të ndërsjellë”. Kjo është hera e parë që në një dokument të institucioneve evropiane përmendet njohja reciproke.

Megjithatë, pesë shtete të BE-së nuk e njohin Kosovën, por PE-ja është institucioni i vetëm që e trajton Kosovën si shtet. Rezolutat e miratuara nuk janë dokumente obliguese për shtetet e Bashkimit Europian.