Perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor dhe e ardhmja e rajonit në Bashkimin Evropian u përsëritën qartë dhe pa mëdyshje gjatë Samitit të BE-së me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Zyrtarët e BE-së konfirmuan se lufta në Ukrainë e ka vënë sërish në plan të parë zgjerimin e BE-së, që nënkupton përparim në negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, përparim në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe rajonale, duke përfshirë normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe përmirësimin e marrëveshjes politike në mes të liderëve të Bosnjes e Hercegovinës.

Konferenca për shtyp pas pjesës hyrëse të samitit, ku pritej të flisnin liderët e vendeve të BE-së dhe që ishte planifikuar të mbahej rreth mesditës, u anulua.

Mësohet se shumë liderë janë shprehur në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën dhe presin që kjo çështje të ngrihet në të ardhmen. Ky takim nuk ishte një mbledhje vendimmarrëse.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas përfundimit të Samitit tha se ka dëgjuar shumë deklarata pozitive për Kosovën nga liderët e BE-së.

“Kemi dëgjuar deklarata mbështetëse për Kosovën, së pari për prespektivën e qartë në BE dhe liberalizimin e vizave. Por, tani na duhet të shkojmë nga fjalët në vepra”, tha ajo. Sipas Osmanit, kësaj radhe ka pasur edhe më shumë deklarata mbështetëse për liberalizimin e vizave sa më herët.

“Duhet të them se këto kanë qenë deklaratat më pozitive që i kemi dëgjuar deri më tani për liberalizimin e vizave. Edhe shtetet që kanë qenë hezituese, shumë prej tyre kanë treguar mbështetje sot”, tha Osmani.

Në një deklaratë për media, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, tha se gjatë samitit shumë pjesëmarrës kanë folur për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Në plan të parë ishte çështja e fillimit të procesit negociator me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe bashkë me të edhe çështja e sigurimit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Përveç kësaj, ata folën për dhënien e statusit kandidat jo vetëm për Ukrainën dhe Moldavinë, por gjatë bisedimeve u fol shumë për marrjen e statusit kandidat për Bosnjen e Hercegovinën. Pra, le të shpresojmë që tonet nga ky takim të jenë mjaft frymëzuese për punën e pasdites së sotme të Këshillit Evropian.”