Analisti Andi Bushati në një opinion të tijin mbi protestën e sotme të opozitës, thotë se dy forcat kryesore, Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë, kanë dështuar të sfidojnë pushtetin dhe janë duke u shtirur si shumicë e rreme.

“Ata po e shmangin radikalizmin duke u shtirur si një shumicë e rreme, duke qenë të pa aftë në këtë mënyrë, të mos ngjallin, as fikë dhe as shpresë”, shkruan ndër rreshta Bushati, teksa më poshtë tregon dy rrugët që mund të ndjekë opozita, si reagim përballë pushtetit.

Pjesë nga opinioni i shkruar nga Andi Bushati:

***

Por, sërisht pyetja mbetet pezull: çmund të bëjë opozita në këto kushte?

Njëra rrugë, më me risk, por më afat shkurtër, është ajo e sjelljes si një pakicë radikale. Duke i tejkaluar caqet e protestave të ligjshme, duke flirtuar me prishjen e paqes së rreme, ajo mund të prodhojë efektin psikologjik të një pushteti që nuk është i pa sfidueshëm. Kështu, nga njëra anë, do të trimëroheshin ata që e urrejnë këtë regjim kleptokratësh, por janë të tulatur ta demostrojnë ndjenjën e tyre me zë të lartë, ndërsa nga ana tjetër, do të krijonte përshtypjen e përgjithshme se kjo klikë që mendon vetëm për të grabitur, nuk është më në gjëndje të garantojë as siguri.

Rruga tjetër është më afatgjatë dhe kërkon shumë më tepër sakrificë dhe moral. Ajo do duhej të synonte mbledhjen e gjithë kundërshtarëve të regjimit rreth kësaj opozite, e cila, nga ana e saj, duhej të bëhej streha e njerëzve të vyrtytshëm e të besueshëm, përmes bashkimit fillestar të tërë faktorëve, që do të shërbente më pas si premisë për zgjerimin e radhëve përtej militantëve. Por ky projekt duket tepër idealist dhe i mundimshëm për njerëz që kanë objektiva imediatë.

Prandaj, si rrezultat i kësaj, PD dhe PL nuk po bëjnë as njërën as tjetërën. Ata po e shmangin radikalizmin duke u shtirur si një shumicë e rreme, duke qenë të pa aftë në këtë manyrë, të mos ngjallin, as fikë dhe as shpresë.

11 shkurti ishte produkti më i dukshëm i kësaj kontradikte. Prandaj ata që ishin mbledhur në bulevard, erdhën, panë dhe u larguan të qetë dhe të lumtur duke i’u gëzuar vetëm fitores së luftës brenda llojit.