KAS ka vendosur të rrëzojë kërkesën e PD dhe LSI për shpalljen e pavlefshmërisë në qarkun e Korçës dhe Elbasanit.

PD dhe LSI janë ankuar në KAS për procesin zgjedhor të 25 prillit për sa i përket 9 qarqeve të vendit, duke kërkuar pavlefshmërinë e votimit për shumicën prej tyre.

Deri më tani, KAS nuk ka pranuar në asnjë rast të shpallë të pavlefshëm procesin zgjedhor, por ka pranuar vetëm rinumërim të pjesshëm në Berat dhe në Durrës.

Rinumërimi i votave nuk solli asnjë ndryshim për sa i përket rezultatit të ndarjeve të mandateve në këto dy qarqe, aty ku LSI pretendonte t’i merrte një mandat PS-së.

Ditën e sotme përfundojnë ankesat e subjekteve zgjedhore në KAS. Tashmë partitë kanë të drejtë t’i drejtohen Kolegjit Zgjedhor për të ankimuar vendimet e KAS.

Rikujtojmë se pas zgjedhjeve të 25 prillit, PD dhe LSI janë shprehur se qeveria ka kryer një “masakër zgjedhore” duke përdorur kriminelë në fushatë, duke kërcenuar administratën zgjedhore, duke përdorur fondet e tërmetit, etj. Ata janë shprehur të vendosur për ta luftuar deri në fund këtë “masakër elektorale”.