Pesë ditë pas zhdukjes së 49 arkave nga kontejneri i kompanisë Bana King në portin e Durrësit, antidroga e policisë është kujtuar të kontrollojë magazinat e kësaj kompanie në periferi të Tiranës. Ndërhyrja e vonuar e policisë ka rezultuar një shpenzim kohe dhe karburanti, pasi nga kontrollet e kryera nuk është arritur të gjendet asnjë prej arkave të zhdukura brenda portit, të cilat dyshohet se kanë pasur kokainë

Policia ka ushtruar kontrolle në zyrat dhe magazinat e kompanisë “Bana King”në zonën e Vaqarrrit 5 ditë pas zhdukjes së 49 arkave në kontenjerin e kësaj kompanie në portin e Durrësit.

Kontrolli është kryer ditën e djeshme dhe katër ditë pasi policia portuale, kishte konstatuar mungesën e plumbçeve në kontenjer dhe mungesën e 49 arkave.

Me urdhërin e prokurorit në dorë, oficerë të policisë Durrës, gjatë ditës së djeshme kanë ushtruar një kontroll të imtësishëm në ambjentet e biznesit të Trifon Murataj.

Kontrolli ka zgjatur disa orë, duke verifikuar çdo kuti me banane dhe çdo ambjent ku mendohej se mund të fshihej droga.

Siç duket vonesa në kryerjen e kontrollit është bërë shkak që oficerët të dalin “duar bosh” pasi nuk kanë arritur të gjejnë asgjë.

Bastisja e antidrogës së Durrësit, është kryer në kuadër të verifikimeve për një trafikim të mundshëm të kokainës nga Ekuadori në drejtim të Sqipërisë.

Në muajin dhjetor 2021 kompanisë “Zico”, e njohur në treg edhe si Bana King, iu kapën plot 119 kg kokainë, e cila ishte arritur të nxirrej me kontenjer nga porti i Durrësit në drejtim të magazinave të firmës në Vaqarr.

Për këtë ngjarje u arrestuan tre persona, dy shoferë të kamionit dhe administratori i kompanisë “Zico”, Marson Murataj.

Ndërsa për rastin e dytë, prokuroria e Durrësit, ende nuk ka rregjistruar një çështje penale për “Trafikim të Narkotikëve” pasi në kontenjer nuk është gjendur asnjë sasi droge.

Hetimet kanë nisur për tri akuza siç është “Shpërdorimi i detyrës”, “Kontrabandimi i Mallrave” dhe “Prishja e vulave të sigurisë”.

Verifikimet për këtë rast, ku dyshohet se është implikuar kompania “Zico” dhe drejtuesit e saj, janë në vend numëro, ndërsa policia është mjaftuar vetëm me kryerjen e veprimeve hetimore në portin e Durrësit dhe së fundmi me një kontroll rutinë në ambjentet e magazinës së firmës në periferi të Tiranës.

Kontejneri, i përket pikërisht kompanisë “Zico”, dhe ka mbërritur në portin e Durrësit, në datën 8 Korrik 2022.

Por pas dyshimeve se në arkat e munguara ndodhej kokainë, policia ka kontrolluar të gjithë kontejnerin dhe nuk ka mundur të gjejë asnjë kilogram drogë.

Të gjitha arkat me banane ku mendohet se ndodhej kokaina, janë hequr dhe policia nuk ka mundur të gjejë asnjë prej tyre. Lidhur me këtë rast të mundshëm të trafikimit të kokainës, policia e Durrësit, ka arrestuar një shofer të kompanisë “Zico”, shtetasin Nazmi Algjata dhe agjentin e shitjeve të kësaj kompanie, shtetasin Altin Muhametaj, të cilët akuzohen për “Prishjen e Vulave të Sigurisë” dhe “Kontrabandim të mallrave”.

ora news