Ministrat e Jashtëm të BE-së kanë qortuar Australinë dhe mbështetin Francën në debatin për anulimin e njëanshëm të marrëveshjes për nëndetëset franceze. 

Bashkimi Europian është rreshtuar me Francën duke e kritikuar vendimin e Australisë për të hequr dorë nga pakti për blerjen e nëndetëseve franceze.

Ministrat e Jashtëm të BE-së diskutuan të hënën marrëveshjen mes SHBA-së, Australisë dhe Britanisë, që e furnizon palën australiane me nëndetëse me kapacitet bërthamor për ta mbrojtur nga kërcënimi kinez në Indo-Paqësor.

Marrëveshja, ndërkaq, anuloi kontratën 60-miliardëdollarëshe që Australia dhe Franca kishin firmosur për këtë qëllim.

Shefi i diplomacisë franceze, Zhan-Iv Lë Drija, nga Nju-Jorku akuzoi qeverinë amerikane se u tregua e pabesë me Francën, duke mos e vënë atë në dijeni për aleancën e re tripalëshe.

Sipas tij, Amerika po shkon gradualisht drejt konfrontimit de facto me Kinën.

“Një aleancë nënkupton transparencë, parashikueshmëri, qartësi, do të thotë të flasësh me njëri-tjetrin, jo të fshihesh sidomos për çështje kaq thelbësore.”

Marrëveshja tripalëshe “AUKUS” pritet të shtjellohet mes shtetarëve të mbledhur në Nju-Jork në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

ORA