Enkelejd Alibeaj e ka cilësuar si anti-kushtuetues vendimin e kryetares së Kuvendit për të anuluar mbledhjen e Këshillit të Mandateve, pas kërkesës së SPAK, ku kërkoi arrestimin e deputetit Alqi Bllako. Në një konferencë për shtyp nga Kryesia e Kuvendit, ai tha se me vendimin për të anuluar mbledhjen përgjigja për SPAK mbetet pezull.
“Kuvendi ka vendosur anulimin e mbledhjes së Këshillit të Mandateve. E çuditshme! E padëgjuar, në shkelje të kushtetutës, rregullores dhe kompetencave të kryetarit të Kuvendit. Nga momenti që kryetari i Kuvendit thërret këshillin, kompetenca i kalon pikërisht këtij këshilli. I duhet atij të mblidhet dhe te shqyrtojë kërkesën e Spak. Dhe në bazë të kërkesës është këshilli ai që vendos. Këshilli i Mandateve ka një kërkesë që është pezull, qëndron në dyert e këtij kuvendi dhe pret një përgjigje. Pa këtë përgjigje ka një mangësi procedura e mëtejshme”, tha Alibeaj.
Alibeaj tha se përfaqësuesit e opozitës kanë kërkuar që mbledhja e Këshillit të Mandateve të zhvillohet, pavarësisht se deputeti Alqi Bllako dorëzoi mandatin. Sipas tij Kuvendi duhet të shqyrtojë kërkesën e SPAK dhe vetëm në këtë mënyrë nuk bëhet pengesë për hetimet.
“Vetëm në këtë mënyrë Kuvendi nuk bëhet pengesë për hetimet. Deputetët të maxhoranës dhe opozitës kanë të drejtë që ndaj kësaj kërkese të prokurorisë të kërkojnë informacion. Nëse këshilli do të mblidhet ne kemi bërë një kërkesë, ka ca çështje që duhet të sqarohen, të cilat kanë dalë publikisht në bazë të punës së lavdërueshme të komisionit hetimor”, theksoi Alibeaj.
Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla njoftoi se mbledhja e thirrur për në orën 18:00 e Këshillit të Mandateve është anuluar, për shkak se deputeti dorëzoi mandatin.