Ka përfunduar seanca në Gjykatën e Apelit të Posaçëm ndaj ish-Presidentit Ilir Meta, lidhur me ankimimin e bërë nga ai kundër masës së sigurisë “arrest në burg”. Gjykata ka vendosur lënien në qeli të Metës.

Meta ka kundërshtuar vendimin e Shkallës së Parë të GJKKO, e cila la në fuqi masën e arrestit me burg, me argumentin se pozita e tij është rënduar dhe ekziston rreziku për prishje të provave apo intimidim të dëshmitarëve.

Në ankimimin e dorëzuar në Apel, Meta dhe avokatët e tij e cilësojnë këtë vendim të pajustifikuar, duke argumentuar se hetimet janë tashmë të përfunduara dhe dëshmitarët kanë dhënë deklarimet e tyre.

Menjehere pas seancës, në një prononcim për mediat nga ambientet e jashtme të GJKKO, doli mbrojtësi ligjor i Presidentit Ilir Meta, avokati Kujtim Cakrani.

“U bë vetëm miratimi i vendimit të Shkallës së Parë. Ne nuk prisnim asgjë tjetër nga kjo gjykatë. Do të vazhdojmë me kërkesat tona ligjore. Nesër do të paraqesim një tjetër kërkesë për revokimin e masës së sigurisë, pasi çështja është tashmë përpara gjyqtarit të seancës paraprake.

Kjo histori nuk përfundon këtu. Ne do të vazhdojmë, sepse nuk është e pranueshme që një ish-President, ish-Kryeministër dhe ish-Kryetar Kuvendi të mbahet në paraburgim. Kjo është një nga turpet më të mëdha që po ndodh sot në Europë. Nuk ka asnjë president tjetër në kontinent që të mbahet në qeli për akuza të pretenduara, që dyshohet se kanë ndodhur dekada më parë”, u shpreh avokati Cakrani.