Ministrja për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi ka bërë ditën e sotme një tjetër lapsus gjatë raportimit në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.
Teksa foli për projektet nga bashkia, Muzhaqi deklaroi se ka aplikues që nuk kanë aplikuar duke korrigjuar veten më pas “Jo aplikues praktikisht’.
“Rikthehemi te kryetarët e bashkisë. Sa i përket kryetarëve të bashkisë. Unë të paktën që në momentin që kam marrë këtë detyrë e kam marrë këtë detyrë për të ngritur zërin për fëmijët dhe të rinjtë. Dhe pavarësisht se çfarë drejtimi politik ka kryetari i bashkisë së Shkodrës së Lezhës. Njëri është një aplikues që po ndërton qendrën rinore dhe tjetri është aplikues që nuk ka aplikuar.
Jo aplikues praktikisht. Nëse angazhimi i kryetarëve të bashkisë është i nevojshëm, do i dërgohet një shkresë për t’i vënë në dukje mungesën e përgjigjes së tyre. Do të penalizohen kur vjen puna te projekte të ndryshme ku ata do aplikojmë. Nëse kryetarët e bashkisë kanë shpresa se po qenë të majtë nuk do t’i biem, ky nuk është rasti”, tha Muzhaqi.
Ajo foli për punësimin e të rinjve duke bërë një bilanc në raport me aplikimet. Në këtë rast pati ndërhyrje nga ana e maxhorancës për çështjen e shifrave. Por në këtë pikë ajo u përgjigj me batutë se janë më të mirë se ata në matematikë.
“Kalojmë te një temë tjetër e rëndësishme. Nga shifrat e fundit që unë kanë qenë 116 institucione të administratës shtetërore dhe 8 shoqëri tregtare që kanë marrë pjesë. Nga 572 janë punësuar 196 të rinj, raporti është 1/3… Duhet ta llogarisim. Ne e kemi si më të mirë matematikën. Atje ku kam studiuar unë ishte 1 me 50. Kështu që 1 me 3 më duket mirë. Gjatë këtij muaji do bëjmë një fushatë informuese për t’i ofruar të rinjve më shumë mundësi. Qëllimi jonë është nga 8 shoqëri tregtare që kishim vitin e kaluar ta 2-fishojmë ose 3-fishojmë. VKM e lejon hapësirën që kriteret të përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës”, u shpreh ministrja.
Muzhaqi u ndal edhe te një çështje e ndjeshme pak kohë më parë kur bëri një reagim të papritur në media. Ajo theksoi se kjo erdhi për shkak se nuk vjen nga një eksperiencë mediatike dhe për këtë arsye një përgjigje e dhënë në një situatë të vështirë emocionale mund të sjellë një reagim të pamenduar.
“Unë nuk vij me eksperiencë mediatike dhe ndonjëherë një përgjigje e dhënë një situatë të vështirë emocionale mund të ketë sjellë një përgjigje që nuk ka qenë e menduar. Deklarimi im dhe reagimi im është ezauruar tashmë. Janë marrë masat e nevojshme që raste të tilla të mos përsëriten. Janë marrë masa të rëndësishme nga qeveria për të adresuar problematika të tilla. Unë jam shprehur për atë rast dhe është e kotë të thuash sa e madhe është keqardhja kur ndahet një fëmijë i vogël nga jeta”, tha ajo.