Pyesim shqiptarët nëse duhet të publikojmë pagat çdo vit.

U cilësua si skandal kur ndodh, por tani qeveria mendon ta kthejë në praktikë të përvitshme publikimin e pagave. Kryeministri e sheh bërjen e transparencës për pagat si një mënyrë për të rritur formalizimin. Me shifra flet për rezultatet pozitive që ka dhënë korrektimi nga vetë bizneset pas presionit të qeverisë për deklarimin e plotë të pagave nga punëdhënësit.

“Janë 52 %, janë më shumë se gjysma, janë mbi 50 mijë të punësuar që kanë kaluar mbi pagën minimale si rezultat i këtij korrektimi ashtu skundër është shumë domethënëse që janë 20 e kusur përqind e të punësuarve totalë që janë rritur në pagë si pasojë e këtij korrektimi dhe që sot me marsin kemi një pagë mesatare të rritur me mbi 100 mijë lekë të vjetra”.

Në takimin me përfaqësues të biznesit ministrja e Financave, lajmëron për hartimin e një projektligji për profesionet e lira si dhe rritje të sanksioneve për ata që fshëhën pagat.

“Ligjin e ri të tatimit mbi të ardhurat, i cili do të targetojë profesionet e lira, të cilat sot individët çelin biznese, ia shesin bizneseve të tjera si shërbime duke eleminuar pagesën e taksave. Me ligjin e ri nuk do të jetë e mundur sepse të gjithë profesionet e lira do të duhet të paguajnë tatimin mbi bazën e këtij ligji. Ne kemi marrë masa për përshkallëzimin e gjobave. Do të bëjmë ndryshimin në ligjin për procedurat tatimore, tashmë do të ketë  gjobë 200% në totalin e shkeljeve për evazionin fiskal”, tha Ibrahimaj.

Pjesë e luftës antiinformalitet do të jetë dhe analizimi i të ardhurave me shpenzimet për individët.

Nga inspektimet që Njësia Antikorrupsion ka bërë në afro 10 mijë biznese me 97 mijë të punësuar rezultojnë jo vetëm mosdeklarim i plote i pagesës, por dhe probleme me kontratat që favorizojnë punëdhënësit e mos dhënie e orëve shtesë. Problematika që kryeministri premton se do të adresohen dhe përmes legjislacionit.