Inxhinieri drejtues i software-it të Apple, Craig Federighi, kishte një detyrë mjaft të vështirë në betejën Epic v. Apple: shpjegimin se pse siguria që ofrohet në Macs nuk ishte e mirë për iPhone-t.
Kompjuterat Mac kanë një Apple App Store zyrtar, mirëpo ato lejojnë dhe instalimin e software-ve nga interneti ose dyqane të tjera. Në momentin kur Epic ngriti pyetjen “Nëse një model i hapur është mjaftueshëm i mirë për macOS, atëherë pse nuk ofrohet një gjë të tillë në iPhone?”, Craig u mundua të përgjigjej duke thënë se iPhone dhe Macs janë dy pajisje mjaft të ndryshme, dhe për këtë iu desh të “hidhte” të gjithë kritikat drejt Macs.
3 ndryshimet kryesore midis 2 pajisjeve të përmendura nga Craig ishin:
- Shkalla e përdorimit (njerëzit përdorin më tepër iPhone se Macs)
- Ndjeshmëria e të dhënave që gjenden në këto pajisje, ku në iPhone gjenden shumë më tepër të dhëna personale se në Macs
- Diferenca e 3-të është më tepër konceptuale. Federighi thotë se përdoruesit e iOS kanë nevojë për më tepër mbrojtje, pasi Macs konsiderohen si pajisje për njerëz më të “specializuar” që dinë se si të navigojnë në kompleksitetet e një sistemi të fuqishëm.
Bazuar nga këto deklarata arrijmë të kuptojmë se Apple kërkon që përdoruesit e iOS të besojnë në mbrojtjen që ato ofrojnë, por nga ana tjetër Apple nuk i beson përdoruesve aq sa t’i lejojë të instalojnë programe të ndryshme nga palë të treta ose interneti.