Personat e pasur po “garojnë” për të siguruar një biletë në misionin e parë New Shepard të Blue Origin, duke ofruar deri në $2.8 milionë për një eksperiencë 10 minutëshe në skajin e hapësirës.

Një biletë e vetme në këtë kapsulë, të quajtur RSS First Step Crew Capsule, “tërhoqi më tepër se 5,200 ofertues nga 136 vende të ndryshme” tha kompania në një deklaratë për shtyp ditën e djeshme. Ky “ankand” filloi ditën e mërkurë në mëngjes, dhe në mbasdite çmimi ka shkuar në $2.8 milionë.

RSS First Step do të ketë 6 vende për pasagjerë, ku njëri prej tyre do të zihet nga ofertuesi më i madh, dhe fluturimi i parë besohet se do të kryhet brenda 6 muajve nga shkretëtira në Texas. Boosterat e ripërdorshme të Blue Origin do të lançojnë kapsulën rreth 104 kilometra drejt qiellit duke kaluar vijën Kàrmàn, që njihet si kufiri më i largët i atmosferës së Tokës.

Çmimi më i madh i ofruar nga persona të ndryshëm update-ohet live në homepage-in e kompanisë. Deri më tani New Shepard ka kryer 15 testime të suksesshme pa njerëz në bord.